Ambasada Italiane, qytetarët të tërheqin pasaportat
E para që ka dhënë sinjalin me një deklaratë për shtyp në lidhje me liberalizimin e vizave ka qenë Ambasada Italiane në Tiranë. Sipas njoftimit, duke nisur nga dje, qytetarët shqiptarë që janë të pajisur me pasaportë biometrike mund të lëvizin lirshëm në Itali deri në periudhën maksimale prej 90 ditësh. Megjithëse ka përshëndetur liberalizimin e vizave, Ambasada Italiane ka vënë gjithashtu në dukje të gjitha rastet e tjera për të cilat shqiptarët kanë nevojë për vizë. Shqiptarët do të duhet të kërkojnë vizë për të jetuar në Itali, vizë e tipit të bashkimit familjar, vizë për të punuar dhe vizë studimi. Sipas Ambasadës, për të tilla viza procedurat nuk kanë ndryshuar, por janë identike me ato të mëparshmet. Pra, liberalizimi i vizave nuk ndikon në procedurat e tjera për të kërkuar vizë.
Duke nisur që nga dita e djeshme nuk do të pranohen më pranë kësaj ambasade aplikime për viza vizitorësh. Personat që kanë aplikuar më parë për marrjen e vizës pranë kësaj ambasade, duhet të paraqiten dhe të plotësojnë deklaratën për tërheqjen e pasaportave.
Ambasada e Danimarkës
Pyetjet më të shpeshta që bëjnë qytetarët shqiptarë
Ambasada e Danimarkës, duke qenë se përfaqëson një nga vendet ku shqiptarëve u lejohet të lëvizin pa viza, ka publikuar në faqen e saj të internetit pyetjet më të shpeshta që bëjnë qytetarët shqiptarë në lidhje me liberalizimin e vizave dhe kushtet për të vizituar Danimarkën. A kam nevojë për vizë nëse dua të bëj një udhëtim me qëllim studimi për një periudhë të shkurtër kohore? A është gjithnjë e domosdoshme që të kemi me vete një biletë kthimi kur largohemi nga Shqipëria? Nëse një person joshqiptar që jeton në një vend ku nuk ka të drejtë lëvizjeje pa viza është i martuar me një shqiptar dhe ka të drejtë të lëvizë lirshëm në Shqipëri, a i lind e drejta për të lëvizur lirshëm në zonën “Shengen”? A është sigurimi gjithnjë i domosdoshëm në mënyrë që të udhëtosh në zonën “Shengen”? Përgjigjet për këto dhe pyetje të tjera mund t`i lexoni më poshtë.
1. Çfarë dokumentesh duhen për të lëvizur lirshëm në shtetin e Danimarkës?
Kërkohet një pasaportë biometrike e vlefshme.
2. A është e vlefshme pasaporta e vjetër shqiptare?
Po, është e vlefshme, por në këtë rast poseduesve të kësaj pasaporte do t`u duhet të kenë një vizë “Shengen” për të lëvizur lirshëm në Danimarkë.
3. A mund të lëviz lirshëm në zonën e Danimarkës brenda një periudhe gjashtëmujore?
Po, mundeni. Megjithëse ju duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm në llogaritjen e periudhave të qëndrimit brenda secilës dalje nga shteti juaj, nuk duhet të kaloni më shumë se 90 ditë pa u rikthyer.
4. Çfarë pyetjesh mund t`iu bëhen qytetarëve shqiptarë në momentin që do të jenë duke kaluar kufirin për në Danimarkë?
Udhëtarëve shqiptarë do t`u bëhen të njëjtat pyetje që u bëhen të gjithë anëtarëve të zonës “Shengen”. Ato kanë të bëjnë më shumë me specifikimin e vizitës së tyre dhe adresën e saktë të vendit ku do të rrinë.
5. Sa para duhet të kem me vete në momentin që do të kaloj kufirin?
Duke u mbështetur në pikën 5 (3) të Kodit Kufitar të zonës “Shengen”: “Mjetet mbajtëse duhet të jenë të përputhura me ditët e qëndrimit të vizitorit të zonës ‘Shengen’. Sasia e parave varet nga çmimet që ka vendi ku ju do të jeni vizitor”. Nëse ju keni karta krediti, do të verifikohen; nëse keni një ftesë nga ndonjë shtetas i vendit ku do të shkoni për vizitë, edhe kjo gjë do të verifikohet duke dhënë adresën e saktë.
6. Nëse unë kam në plan që të vizitoj një mik që jeton në Danimarkë, a duhet që të jap informacion të detajuar në lidhje me këtë person në kufi?
Po, juve do t`ju kërkohet që të jepni informacion në lidhje me atë person. Do t`ju duhet të keni adresën e saktë dhe ndonjë numër kontakti.
7. A është gjithnjë e domosdoshme që të kemi me vete një biletë kthimi kur largohemi nga Shqipëria?
Kur ju udhëtoni me avion. është e rekomandueshme që të keni dhe një biletë kthimi.
8. Nëse një person joshqiptar që jeton në një vend ku nuk ka të drejtë lëvizjeje pa viza, është i martuar me një shqiptar dhe ka të drejtë të lëvizë lirshëm në Shqipëri, a i lind e drejta për të lëvizur lirshëm në zonën “Shengen”?
Fakti që personi mund të ketë një leje qëndrimi në Shqipëri nuk i jep të drejtën atij ose asaj që të udhëtojë pa vizë në zonën “Shengen”.
9. A kam nevojë për vizë nëse dua të bëj një udhëtim me qëllim studimi për një periudhë të shkurtër kohore?
Juve do t`ju duhet që të keni vizë vetëm në rastet kur studimet tuaja mund të zgjasin më shumë se 90 ditë.
10. A mund të lëviz me pasaportë biometrike nëse një nga ambasadat më parë ka refuzuar që të më japë vizë?
Kjo varet nga arsyeja për të cilën ju është refuzuar viza. Nëse ka qenë për çështje të mungesës së dokumentacionit, atëherë kjo nuk do të jetë një arsye për të cilën ju nuk mund të udhëtoni. Por, nëse refuzimi është bërë për shkak se personi ka bërë shkelje në zonën “Shengen”, kalimi i tij është i palejueshëm.
11. A mundet një person që është dëbuar nga një vend i zonës së Shengenit të përfitojë nga liberalizimi i vizave?
Jo, kjo është e pamundur.
12. A ka kufij për lëvizjen nga një vend i zonës “Shengen” në tjetrin?
Nuk do të ketë më asnjë kufi për të gjitha vendet “Shengen”.
13. A është sigurimi gjithnjë i domosdoshëm në mënyrë që të udhëtosh në zonën “Shengen”?
Sigurimi nuk është diçka e detyrueshme, por është një nga gjërat më të rekomanduara për sigurinë e udhëtarit.
Faqe 15
Ambasada Gjermane
Rregullat dhe formularët për aplikimin për vizë
Për shtetasit e Shqipërisë hiqet detyrimi i pajisjes me vizë për qëndrime afatshkurtra sipas § 1, kreu 2, të rregullores së qëndrimit. Heqja e detyrimit të vizave vlen vetëm për mbajtësit e pasaportave biometrike. Çfarë është saktësisht heqja e vizave?
Shtetasit e Shqipërisë, të cilët zotërojnë një pasaportë biometrike, nuk kanë nevojë për vizë në rast se do të duan të hynë në shtetet “Shengen” për një qëndrim deri në tre muaj. Kjo vlen edhe për udhëtimet në Norvegji dhe Islandë. Ndërsa vendet që nuk i përkasin hapësirës “Shengen”, Britania e Madhe dhe Irlanda, vazhdojnë të mbajnë detyrimin e pajisjes me vizë.
Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa vizë për qëllimet e mëposhtme të një qëndrimi jo më të gjatë se 90 ditë brenda një periudhe prej gjashtë muajsh: turizëm, biznes, vizitë, udhëtime të tjera, që nuk lidhen me qëllime punësimi, për të cilin kërkohet një miratim i veçantë (p.sh. kurs gjuhe, programe shkëmbimesh shkollore, hospitime shkencëtarësh, kualifikime të tjera etj.) Në rast se synohet punësim, rekomandohet konsultimi me Ambasadën lidhur me detyrimin eventual të pajisjes me vizë.
Për të gjitha llojet e tjera të qëndrimit kërkohet vizë. Në këtë rast mbani në konsideratë, ju lutem, udhëzimet e mëposhtme:
Dokumentet
Çfarë duhet për të hyrë në Gjermani
Sjellim në vëmendje se një shtetas i huaj mund të kthehet në kufi (në momentin e hyrjes), nëse ai nuk disponon mjetet e nevojshme financiare për qëndrimin e tij, përkatësisht nëse nuk mund t'i fitojë ato në mënyrë të ligjshme apo nëse nuk mund të dëshmojë kthimin në shtetin e origjinës apo në një shtet të tretë, për të cilin ai zotëron një leje qëndrimi të vlefshme, që i lejon kthimin në këtë shtet (për shembull biletë fluturimi). E njëjta gjë vlen nëse ai nuk mund të paraqesë dokumentet që provojnë qëllimin dhe rrethanat e qëndrimit të tij.
Një qëndrim pa viza në zonën “Shengen” është i mundshëm për jo më shumë se 90 ditë brenda një periudhe prej gjashtë muajsh, llogaritur kjo që prej ditës së parë të hyrjes në zonën “Shengen”.
Çfarë duhet paraqitur në kontrollin kufitar, me kërkesë të punonjësit përkatës, në rast udhëtimi pa detyrim vize?
Në rastin e udhëtimit pa detyrimin e vizës, kur kërkohet prej punonjësve të kontrollit të kufirit duhen paraqitur dëshmi të financimit të qëndrimit dhe të udhëtimit, si dhe dëshmi të qëllimit të udhëtimit.
1- Lidhur me qëllimin e udhëtimit:
a- në rast turizmi: rezervimet e hotelit dhe të udhëtimit;
b- në rast biznesi: konfirmimi nga firma me seli në Gjermani, ftesa për në konferencë, seminar apo takimin me partnerë në biznes etj.
c- në rast vizite: ftesë nga miqtë/të afërmit;
d- udhëtime të tjera: konfirmimet prej organizatorëve të kursit të gjuhës, shkollave apo organizatave përkatëse.
2- Lidhur me financimin:
a- mjete të mjaftueshme financiare për qëndrimin: cash, karta krediti apo çeqe udhëtimi ose deklaratë garancie. Deklaratat e garancisë në përputhje me paragrafët § 66 bis 68 të ligjit për qëndrimin e të huajve mund të lëshohen nga ftuesit që jetojnë në Gjermani vetëm pranë zyrave të të huajve dhe duhen paraqitur në origjinal në momentin e hyrjes në hapësirën “Shengen”;
b- siguracion shëndeti (mbulimi minimal 30 euro, i vlefshëm në të gjitha shtetet e Shengenit);
c- bileta vajtje-ardhje e fluturimit (brenda 90 ditëshit të qëndrimit);
d- pasaportë e vlefshme (pasaporta në momentin e kthimit duhet të jetë e vlefshme edhe për 3 muajt vijues).
Çfarë vlen të thuhet për shtetasit shqiptarë që nuk zotërojnë pasaporta biometrike?
Të gjithë shtetasit që nuk zotërojnë pasaporta biometrike janë të detyruar edhe më pas të pajisen me viza. Informacione lidhur me dokumentet e nevojshme për të aplikuar për një vizë “Shengen” mund të gjeni në fletët përkatëse të informacionit. Aplikimi për vizë duhet paraqitur tek ajo përfaqësi e shtetit anëtar të zonës “Shengen”, në të cilin është edhe qëllimi kryesor i udhëtimit. Nëse qëllimi nuk mund të përcaktohet qartë, përgjegjës është shteti i parë në të cilin do të udhëtohet. Që nga data 1 janar 2008 midis përfaqësive përkatëse të shteteve “Shengen” dhe Republikës së Shqipërisë ka hyrë në fuqi Marrëveshja për Lehtësimin e Vizave. Qëllim i kësaj marrëveshjeje është lehtësimi i dhënies së vizave shtetasve të Republikës së Shqipërisë për një qëndrim maksimal prej 90 ditësh brenda një gjashtëmujori.
Tarifat
Çfarë ndryshimesh do të ketë në kosto
Krahas përcaktimit të tarifës së aplikimit prej 35 eurosh në vend të 60 eurove për shtetasit shqiptarë, si edhe përcaktimit të grupeve të personave që nuk paguajnë tarifë për aplikimin, marrëveshja përmban kryesisht rregulla për vërtetimin e qëllimit të udhëtimit si dhe për dhënien e vizave afatgjata. Në lidhje me aspektet, të cilat nuk parashikohen në marrëveshje, hyjnë në përdorim rregullat e shteteve “Shengen” ose “E Drejta e Përbashkët e Bashkimit Europian”, si p.sh. në rastet e refuzimit të kërkesave, të njohjes së dokumenteve të udhëtimit, të paraqitjes së mjeteve të mjaftueshme financiare për përballimin e shpenzimeve, të mohimit të së drejtës së hyrjes apo në lidhje me masat e dëbimit.
Nga fleta përkatëse e informacionit për viza afatshkurtra (viza “Shengen”), mund të shihet se çfarë dokumentesh nevojiten për aplikimin për vizë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes midis Bashkimit Europian dhe Republikës së Shqipërisë. Qëndrimet mbi 90 ditë nuk preken nga Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave. Dokumentet që nevojiten për aplikim mund t'i gjeni te fleta e informacionit për vizë kombëtare. Nëse kërkoni përgjigje të tjera për pyetje mbi procedurën e vizës, këto ndoshta mund t'i gjeni te fleta e informacionit "Udhëzime në lidhje me aplikimin për vizë". Për pyetje të mëtejshme ju lutemi t'i drejtoheni me anë të formularit të kontaktit drejtpërdrejt sektorit të vizave në Ambasadë. Të gjitha fletët e informacionit dhe formularët e aplikimit mund të shkarkohen nga linket në fund të kësaj faqeje, si në gjuhën gjermane, ashtu edhe në gjuhën shqipe. Përveç kësaj, në linket e mëposhtme mund të gjeni në gjuhën gjermane dhe shqipe tekstin e Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave, nënshkruar midis Bashkimit Europian dhe Republikës së Shqipërisë. Informacione të mëtejshme mund të merren edhe nga faqja e internetit e Komisionit Europian në Shqipëri. Lutemi të mbani parasysh që Ambasada nuk është përgjegjëse për përmbajtjen e linkeve të jashtme.
Faqe 16
Ambasada Austriake
Udhëtimi juaj i lirë për në Austri
Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza për arsye turistike dhe biznesi në zonën “Shengen” për një periudhë prej 90 ditësh, për çdo gjysmëviti. Ambasada Austriake vë në dukje: Me udhëtimin pa viza në zonën “Shengen” ju nuk keni të drejtë as të filloni punë dhe as të merrni një leje qëndrimi afatgjatë. Më tej vlejnë akoma të gjitha rregullat, të cilat deri tani kanë qenë të vlefshme për lëshimin e vizave, si p.sh. posedimi i një siguracioni shëndetësor për të gjithë periudhën e qëndrimit, me një shumë mbulimi prej 30 eurosh. Policia Kufitare e Kufijve të Jashtëm të zonës “Shengen” ka të drejtë që udhëtarët pa viza t’i verifikojnë me saktësi dhe të pyesin për arsyet e udhëtimit, dhe në lidhje me këtë të kërkojnë dokumentet e duhura. Në rast se autoritetet kufitare kanë përshtypjen se udhëtari i pyetur nuk udhëton për arsye turistike, por p.sh. për të filluar punë ose për një qëndrim afatgjatë, atëherë ato mund të mos lejojnë udhëtimin pa dhënë shpjegime të mëtejshme. Në rast se personat që udhëtojnë pa viza kanë qëndruar në mënyrë ilegale më shumë se 90 ditë në zonën “Shengen”, gjë e cila vërtetohet në mënyrë automatike gjatë largimit, atëherë, autoriteteve kufitare u lind e drejta që të aplikojnë një ndalim hyrje ose qëndrimi afatgjatë për të gjithë zonën “Shengen”.
Qëndrimi tremujor, ndalohet përsëritja
Ju lutem, kini parasysh gjithashtu se mbas kthimit nga një qëndrim tremujor në zonën “Shengen” nuk duhet që të filloni një qëndrim tjetër tremujor. Në rast se autoritetet kufitare krijojnë përshtypjen se udhëtarët pa viza, në mënyrë të përsëritur, kanë qëndruar disa herë për një periudhë tremujore, duke thyer kështu rregullat e qëndrimit të shtetit të destinacionit, mund të çojë në refuzimin e hyrjes. Shtetasit shqiptarë, të cilët duan të realizojnë një qëndrim më shumë se tre muaj në Austri, duhet të bëjnë kërkesë pranë Ambasadës për një vizë qëndrimi nacionale austriake. Për më shumë informacione shikoni rubrikën ”Hyrja dhe qëndrimi”. Kusht tjetër është se shtetasit shqiptarë duhet të udhëtojnë me një pasaportë të re biometrike. Poseduesit e pasaportave të vjetra duhet, si më parë, që për çdo udhëtim në zonën “Shengen” të bëjnë një kërkesë për vizë. (Shiko rubrikën ”Hyrja dhe qëndrimi). Për të gjithë shtetasit e tjerë me nënshtetësi joshqiptare janë të vlefshme rregullat e mëposhtme: Në rast se nuk dispononi një leje-qëndrimi të vlefshme, për udhëtimin tuaj në Austri, ju nevojitet një e ashtuquajtur vizë “Shengen”. Ju lutemi duhet të keni parasysh se ju mund të aplikoni pranë ambasadës sonë, vetëm nëse destinacioni juaj kryesor është Austria.
Pyetjet
Ja çfarë do t`ju kërkohet
Punonjësit e zyrës konsullore do t`ju drejtojnë pyetje gjatë intervistës suaj të aplikimit, në mënyrë që të qartësohen dhe të sigurohen se destinacioni kryesor i udhëtimit tuaj është Austria. Për këtë mund t`ju kërkojnë dhe dokumente të ndryshme verifikuese. Në rast udhëtimi nëpër disa vende të Shengenit, si turistë ose për arsye biznesi, ku kohëzgjatja e qëndrimit tuaj është relativisht e njëjtë, duhet të aplikoni për vizë pranë ambasadës së vendit “Shengen”, kufiri i të cilit do të jetë i pari që do të shkelni. Personat, të cilët aplikojnë për herë të parë për vizë “Shengen”, duhet të paraqiten pranë ambasadës sonë menjëherë pas kthimit të tyre në Shqipëri. Personave, të cilëve u dokumentohet keqpërdorimi i vizës, duke udhëtuar në shtete të tjera “Shengen”, do t`u hiqet ose vështirësohet e drejta për t'u pajisur me viza të mëtejshme.
Ambasada Franceze
Ja çfarë u duhet shqiptarëve për të parë Parisin
Kushtet e hyrjes në vendet e hapësirës “Shengen” për qytetarët shqiptarë, mbajtës të pasaportave biometrike (të shihet gjithashtu rregullorja e CE n° 562/200 6 e Parlamentit Europian dhe e Këshillit e datës 15 mars 2006, i cili përcakton një Kod komunitar në lidhje me regjimin e kalimit të kufijve nga personat – Kodi i Kufijve Shengen). Për një qëndrim më pak se 3 muaj në një periudhë prej 6 muajsh, kushtet e hyrjes janë si vijon:
a) të jetë i pajisur me një pasaportë biometrike të vlefshme, për fëmijët minorenë të pashoqëruar, autorizim i prindërve ose i tutorit;
b) të justifikojë arsyen dhe kushtet e kohë-qëndrimit të parashikuar dhe të ketë mjetet financiare të mjaftueshme, si për kohë-qëndrimin e parashikuar, ashtu dhe për kthimin në vendin e tij të origjinës ose të tranzitit drejt një vendi të tretë në të cilin pranimi i tyre është i garantuar;
c) të mos jetë person i skeduar në Sistemin e Informimit Shengen (SIS);
d) të mos jetë i konsideruar si person që përbën rrezik për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një nga shteteve anëtare dhe të mos jetë i skeduar në bazën e të dhënave kombëtare të shteteve anëtare për këto arsye. Lista përmbledhëse e dokumenteve justifikuese, të cilat mund të kërkohen nga roja kufitare me qëllim verifikimin e respektimit të kushteve të hyrjes.
Për të gjitha llojet e udhëtimit:
- Prova mbi të ardhurat, të cilat duhen për të përballuar shpenzimet gjatë kohëzgjatjes së udhëtimit;
- dokumente, të cilat të justifikojnë kthimin në Shqipëri (bileta e avionit, tragetit etj.);
- policën e sigurimit në udhëtim, të shoqëruar me:
a) për udhëtimet me karakter profesional:
1) ftesën nga një ndërmarrje ose autoritet për të marrë pjesë në mbledhje, konferenca ose manifestime me karakter tregtar, industrial ose profesional;
2) dokumente të tjera, të cilat të vërtetojnë ekzistencën e marrëdhënieve tregtare ose profesionale;
3) karta hyrje pjesëmarrjeje në panaire dhe kongrese.
b) Për udhëtime të kryera në kuadrin e një formimi afatshkurtër:
1) certifikatën e regjistrimit në një institut mësimdhënës;
2) kartat a studentit ose certifikatat në lidhje me kurset e ndjekura.
c) Për udhëtime me karakter turistik ose privat:
1) dokumente në lidhje me strehimin:
- ftesën nga një person që ju pret, ftesë-garanci (e cila merret në bashki në Francë) në rast strehimi nga një person privat;
- rezervimin pranë qendrave pritëse (hotel…);
2) dokumente të cilat justifikojnë itinerarin: konfirmimi i rezervimit të një udhëtimi të organizuar ose çdo dokument tjetër, i cili të përmbajë programin e udhëtimit të parashikuar;
d) Për arsye shëndetësore:
Një certifikatë e lëshuar nga një mjek, i cili të tregojë se trajtimi mjekësor nuk mund të kryhet në Shqipëri, provën e pagesës paraprake të shërbimeve mjekësore, angazhimin dhe provën mbi të ardhurat në lidhje me pagesat e shërbimeve mjekësore shtesë eventuale.
e) Për udhëtime të ndërmarra për manifestime me karakter politik, shkencor, kulturor, sportiv ose fetar, ose për çdo arsye tjetër:
ftesat, kartat e hyrjes, regjistrimet ose programet të cilat të saktësojnë emrin e organizatës pritëse dhe kohën e qëndrimit, ose çdo dokument tjetër, i cili të tregojë arsyen e vizitës.
E RËNDËSISHME
KANË NEVOJË TË PAJISEN ME VIZA:
1 – për mbajtësit e pasaportave jobiometrike
2 – për një kohëzgjatje më shumë se 3 muaj
3 – për arsye ushtrimi të një aktiviteti profesional
16 Dhjetor 2010