E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja në Shkodër, komisione për vlerësimin e dëmeve



Këshilli i Ministrave mori dje vendimin për ngritjen e komisioneve të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në vend. Këto komisione do të vlerësojnë të gjithë llojet e dëmeve në subjektet private, në banesa apo ekonominë e tyre. Komisionet do të vlerësojnë, gjithashtu, edhe dëmet e shkaktuara në infrastrukturën publike si shkolla, rrugë, ujësjellës, etj. Vlerësimi do të shërbejë si bazë për të përcaktuar edhe fondet që do të jepen për zhdëmtim. Komisionet do të fillojnë menjëherë veprimin për vlerësimin e dëmeve në zonën e Shkodrës dhe në zonat e tjera të vendit ku përmbytjet kanë shkaktuar dëme në pasuritë private e publike.
Situata
Situata në territorin e qarkut të Shkodrës pas përmbytjeve të fillim dhjetorit, vazhdon të përmirësohet, pasi i favorizuar nga moti i mirë dhe pa reshje shiu. Vazhdon ulja e nivelit të liqenit të Shkodrës e për pasojë, po zvogelohet sipërfaqja e tokave të përmbytura. Nga informacionet më të fundit, nga 14 mijë ha që ishte 3 ditë më parë, kjo siperfaqe ka shkuar ne 9.440 ha. Orët e mesditës së djeshme i kanë gjetur shumë lagje periferike të qytetit të Shkodrës nën prezencën e ujit, por moti i mirë dhe temperaturat e ulëta po ndihmojnë dukshëm në përmirësimin e situatës. Kritike mbetet situata në komunat e Shkodrës, ku uji pavarësisht se po shënon rënie me disa centimetra vazhdon të mbajë nën vete banesa të shumta. Situata më e fundit në shifra në Shkodër është, 9 440 ha toka nën ujë, 4 660 banesa të përmbytura, ndërkohë që 650 banesa janë liruar nga uji dhe 3 800 banorë janë rikthyer në shtëpi. Niveli I ujit ka shënuar një rënie prej 11 cm, por ndërsa kjo situatë është ndjerë në lagjet periferike të Shkodrës, në komuna jo. Në shumë prej tyre vazhdon situata kritike ku niveli i ujit shënon 1 metër. Ndërkaq ka nisur puna për dizinfektimin e të gjitha zonave që janë liruar nga uji, ndërsa vazhdon furnizimi me ushqime, kryesisht bukë dhe ujë të banorëve të izoluar nga uji.
Shkodra
Burime zyrtare nga shtabi i emergjencave civile në prefekturën e Shkodrës, bëjnë të ditur se përmirësimi më i ndjeshëm paraqitet në Shkodër, ku vazhdon tërheqja e ndjeshme e nivelit të ujit dhe ku është zhbllokuar qarkullimi rrugor në hyrje të qytetit, ku po lëvizin të gjitha llojet e automjeteve pa probleme në të dy anët e aksit rrugor, qytet-ura e Bunës dhe anasjelltas. Megjithatë, prezenca e ujit vazhdon në zonat periferike që kufizohen me liqenin e Shkodrës dhe lumin Drin si lagjet "Manush Alimani", "Salo Halili", Kiras, Livadhet, Ajasem, Bahçallek. Prezencë uji vazhdon edhe ne lagjen turistike të Shirokës, ndërkohë që qarkullimi në aksin rrugor Shkodër-Shirokë bëhet vetem me mjete të larta.
Komunat
Ndërkohë, në komunat e Nënshkodrës, edhe pse uji vazhdon të shënojë tërheqje, situata paraqitet problematike në komunat e Velipojë dhe Dajç, ku prezenca e ujit në nivele të larta është në rreth 70 për qind të territorit të tyre, duke bërë të pakalueshme edhe akset rrugore që lidhen me qytetin. Problematike paraqitet gjendja dhe në komunën Ana e Malit, kryesisht në fshatin Obot, i njohur historikisht për përmbytje nisur nga ultësira e madhe e vendosjes së shtëpive të banorëve pranë shtratit të lumit Buna, ndërsa pjesa tjetër e territorit ka përmirësime të ndjeshme. Për pasojë, gjatë orëve të mbrëmjes dje, 80 persona janë rikthyer në banesat e tyre duke lënë konviktet e qytetit të Shkodrës, ku qëndruan për disa ditë të evakuar. Ndërsa në komunën Bushat rënia e nivelit të ujit ka ndikuar në përmirësim të ndjeshëm të situates ne disa fshatra, janë 400 familje që vazhdojnë të jenë të izoluara nga uji. Përmirësime të dukshme janë konstatuar edhe në komunën Bërdicë, ku niveli i ujit është ulur në të gjithë zonën dhe qarkullimi i automjeteve është i mundur në të gjithë akset rrugore, duke lehtësuar së tepërmi ndërhyrjen e strukturave të shtabit të emergjencës në dhënien e ndihmës për komunitetin dhe sidomos për bagëtitë e shumta që ka kjo zonë. Komuna e tjetër e zonës së Nënshkodrës, ajo e Gurit të Zi, paraqitet me një situatë pa probleme përmbytje, pasi mungesa e reshjeve dhe minimizimi i shkarkimeve në kaskadën e Drinit, ka ndikuar në largimin e plotë të ujit që përmbyti prej shumë ditësh tokat bujqësore dhe shtëpitë e fshatrave të Kuçit e Vukatabës. Për t’u theksuar është fakti se, të gjithë banorët që ishin të evakuar ditë më parë, tashmë po rikthehen në banesat e tyre.

Unioni i gazetarëve, shpërndan çmimet, “Vangjush Gambeta”

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi sot në ambjentet e hotel “Sheraton” konkursin për çmimin “Vangjush Gambeta" për raportimin më të mirë ekonomik në median e shkruar, audio dhe vizive. Konkursi, i cili u organizua për të dytin vit radhazi dha edhe dy çmime të karrierës që iu dhanë korespondentes së AFP-së për Shqipërinë, Briseida Memës dhe zv/kryeredaktorit të revistës “Mapo”, Ben Andoni. Ndërkohë që çmimi për raportimin më të mirë audio iu dha gazetarit të Radio Travel, Amarildo Topi, i cili theksoi se “shkrimet informuese mbi ekonominë dhe turizmin kanë qenë ndër lajmet më të rëndësishme të vitit 2010 për Shqipërinë”. Çmimi për raportimin më të mirë në video iu dha gazetarit Klodian Kotorri, ndërsa raportimi më i mirë në median e shkruar iu dha gazetarit Ervin Qafmolla. “Çmimi “Vangjush Gambeta” u dha për herë të parë në vitin 2009 me mbështejen e “Japan Tobacco International” për tre gazetarë efektivë të ekranit, radios dhe median e shkruar. Dy veteranë të gazetarisë ekonomike si Agron Çobani dhe Hamid Boriçi morën vjet çmimin e karrierës”, tha se, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa. Vangjush Gambeta ishte një gazetar i shquar dhe publicist, i cili pati një rol të spikatur në shtypin shqiptar. Në vitet 1956-1975 ai drejtoi sektorin ekonomik në gazetatën “Zëri i Popullit”, ku më vonë shërbeu edhe si zv/kryeredaktor. Paralelisht në këto vite ai ishte pedagog i ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1990 ai ishte bashkë-themelues i partisë Republikane dhe drejtues i gazetës së saj “Republika”. Ai ndërroi jetë në vitin 2008

16 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›