Vendimi, 320 bursa më shumë për studentët
Anilejda Shëmbitraku
Dje në mbledhjen e tij të radhës Këshilli i ministrave ka bërë disa ndryshime përsa u përket numrit të bursave për arsimin parauniversitar dhe universitar. Në ndryshimet e bëra janë hequr 100 bursa për nxënësit të cilat nga 1600 tashmë janë 1500 dhe janë shtuar 320 bursa për studentët të cilat nga 1600 tani janë 1920. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 janar 2011, për të gjitha kategoritë e shkollave.
Kategorite
Kategoritë që përfitojnë bursa nga shteti janë nxënësit dhe studentët që vijnë nga familjet në nevojë, që kanë përfituar statusin e jetimit, nxënësit të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore si dhe nxënësit me status të invalidit paraplegji dhe tetraplegj. Burse shteti përfitojnë nxënësit e familjeve të punonjësve të policisë shërbimit informativ dhe forcave të armatosura që kanë humbur jetën për shkak të detyrës. Kategoria tjetër përfituesë përfshinë ata persona që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre nëe largësinë mbi 5 km duke plotësuar kriterin ekonomik si dhe nxënësit që banojnë në fshat të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km. Po kështu përfitojnë trajtim me bursë nxënësit e shkollave të mesme profesionale. Nxënësit konviktorë që vijn nga zonat juglindore dhe verilindore të vendit
Studentët
Bursa përfitojnë studentët që vazhdojnë studimet në degët matematikë dhe fizikë. Po kështu përfitojnë trajtim me bursë studentët që pas përfundimit të plotë të kursit të parë të vitit paraardhës kanë arritur një notë mesatare mbi 8-të. Po kështu u jepet bursë edhe 25 nxënësve me rezultatet më të mira në provimet e Maturës Shtetërore shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Kategoritë
1- Nxënësit që vijnë nga familjet në nevojë;
2- Ata që kanë përfituar statusin e jetimit;
3- Kanë humbur kujdestarinë prindërore;
4 Me status të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik
5- Nxënësit e familjeve të punonjësve të policisë shërbimit informativ dhe forcave të armatosura që kanë humbur jetën për shkak të detyrës;
6- Ata që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km duke plotësuar kriterin ekonomik;
7- Nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km;
8- Bursë përfitojnë edhe 25 nxënësit me rezultatet më të mira në provimet e Maturës Shtetërore shpallur nga MASH;
Studimet
Bursat që ofrohen nga universitetet e huaja
Studentët shqiptarë që duan të fitojnë një bursë studimi jashtë duhet të aplikojnë kur vendet përkatëse ofrojnë këto vende studimi nëpërmjet ambasadave. Agjencia Universitare e Frankofonisë ofron bursa për studentët nga Evropa Lindore dhe Qëndrore, për Master, doktoraturë dhe për perfeksionimin në formim ose kërkim. Afati për aplikim është deri në mes të muajit shtator. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Greqisë ofron Programin e Bursave për studime universitare dhe pasuniversitare për kandidatë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë dhe të Teknologjisë (A.E.I dhe T.E.I) në Greqi, për vitin akademik 2010-2011. Çdo studentë që dëshiron të ndjek studimet në Universitet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojë nga programi Erasmus Mundus. Projekti parashikon që kohëzgjatja e studimeve në të gjitha fushat të jetë jo më shumë se 48 muaj. Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se bursa studime janë ofruar pothuajse nga të gjitha vendet e Evropës Perëndimore por jo vetëm kaq. Egjipti dhe Japonia po kështu dhe vendet e Evropës Lindore kanë ofruar bursa studimi për të rinjtë shqiptarë. Ambasadat e vendeve të huaja bashkëpunojnë me MASH për të publikuar vendet e studimit që ato ofrojnë. Bursat ofrohen në periudha të ndryshme kohe dhe kohëzgjatja përcaktohet nga vendet ofruese. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk mund të jepet një shifër e saktë lidhur me bursat e studimit që mund të përfitojnë të rinjtë në këto vende, por shprehen se ky institucion është i interesuar që të rinjtë shqiptarë të përfitojnë sa më shumë bursa studimi. Greqia është një ndër vendet që ofron çdo vit bursa studimi për të rinjtë shqiptarë. Po kështu edhe Italia dhe Franca. Vendet e Ballkanit Perëndimor ofrojnë gjithashtu bursa studimi universitare e pasuniversitare në kuadër të programit ERASMUS. Një nga vendet që ka ofruar bursa studimi parauniversitare është Egjipti. Qendra Demografike dhe Fondi Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik në Kajro, ofron bursa për studime pasuniversitare në fushën e studimeve demografike për periudhën janar-dhjetor 2011.
Vendimi
Internet falas për qendrat universitare
Kryeministri Berisha i ka kërkuar dje ministrit të Arsimit nisjen e projektit për ofrimin e internetit falas në çdo qendër universitare të vendit. Duke e sjellë këtë çështje në mbledhjen e qeverisë si një shqetësim të studentëve, Kryeministri tha se në të gjitha korpuset e kampuset universitare, interneti do të ofrohet falas nga qeveria. “Qyteti Studenti dhe qytezat studentore, kudo që janë, duhet të kenë internet falas. Një pjesë e siguron Posta Shqiptare, pjesën tjetër do ta sigurojë qeveria. Ndaj të merren masa për këtë. Një student më dërgoi një shqetësim, ku më thotë se deri para një muaji sallat e internetit ishin pa pagesë, ndërsa tani ia kanë kthyer me pagesë. Pas interesimit tim, nuk ishte Posta, pasi ajo e ka shërbimin e internetit pa pagesë, por gjithsesi Posta nuk mund t`u shërbejë të gjithë studentëve, për shkak të mjediseve të vogla. Studentët duhet të kenë salla interneti dhe ne duhet t`i subvencionojmë. Në të gjitha korpuset e kampuset universitare, interneti duhet të ofrohet falas nga qeveria. Ministria të fillojë ta projektojë. Janë 138 mijë studentë, të cilët duhet të kenë akses sa më të madh në internet,” tha Kryeministri
16 Dhjetor 2010