Ambasada amerikane: Nuk preket miqësia SHBA-Kosovë

Marrëdhëniet e mira SHBA-Kosovë nuk do të ndryshojnë dhe pas këtij akti makabër. Me anë të një deklarate për shtyp, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka dënuar sulmin në Frankfurt kur një kosovar vrau 2 shtetas dhe plagosi 2 ushtarë të tjere amerikanë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, falënderon qeverinë dhe Presidentin e Kosovës për deklaratat e tyre të ngushëllimit dhe të përkrahjes në këto çaste.
Ne jemi të vetëdijshëm se populli i Kosovës është gjithashtu i tronditur me këtë krim neveritës që është një fyerje për vlerat dhe traditat e popullit shqiptar.
Akti i një individi të vetëm nuk do të ndikoje në asnjë mënyrë në miqësinë e thellë dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona, ose në marrëdhënien jashtëzakonisht të ngrohtë dhe të ngushtë të popujve tanë dhe qeverive”, thuhet në deklaratë.