E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasada amerikane në Tiranë njofton ndryshime në rregullat e rinovimit të vizave për turizëm ose biznes

Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në procedurat e rinovimit të vizave. Duke filluar nga 2 shtatori 2025, vetëm vizat e kategorisë B1/B2 (për turizëm ose biznes) që janë ende të vlefshme ose që kanë skaduar më pak se 12 muaj më parë, do të mund të rinovohen me postë. Ky njoftim u bë publik sot përmes një postimi në rrjetet sociale.

Për të gjitha llojet e tjera të vizave, Ambasada ka bërë të qartë se do të kërkohet një intervistë ballë për ballë. Ky rregull vlen për të gjithë aplikantët, me përjashtim të disa rasteve specifike të udhëtimeve qeveritare. Kjo masë synon të standardizojë procesin dhe të garantojë një shqyrtim më të detajuar të aplikimeve.

Ambasada theksoi rëndësinë e informimit dhe i nxit të gjithë aplikantët për vizë që të vizitojnë faqet zyrtare të internetit.

“Nxisim aplikuesit për vizë të kontrollojnë faqen e ambasadës al.usembassy.gov dhe travel.state.gov për informacion më të detajuar mbi kërkesat dhe procedurat e aplikimit për vizë, si dhe për t’u informuar mbi statusin e funksionimit dhe shërbimet e ambasadës,” thuhet në njoftim.

Ky ndryshim pritet të ndikojë veçanërisht tek aplikantët që kishin një vizë B1/B2 të skaduar prej më shumë se një viti, të cilët tani do të duhet të kalojnë nëpër procesin e plotë të intervistës. Aplikantët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të përdorin burimet zyrtare për të siguruar informacionin e saktë dhe të vlefshëm përpara se të fillojnë procedurën e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›