E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret- Gonzato: BE, solidaritet me Shqipërinë në këtë moment të vështirë

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka reaguar lidhur me situatën e rëndë të krijuar në vend si pasojë e zjarreve. Gonzato thotë se BE solidarizohet me Shqipërinë, ndërsa shpreh mirënjohje për zjarrfikësit të cilët prej disa ditësh po luftojnë me flakët.

“Është e trishtë të shohësh kaq shumë pemë, shtëpi dhe fshatra të tërë nën kërcënimin e zjarreve në Shqipëri. Një falënderim i madh shkon për zjarrfikësit dhe të gjithë ata që po punojnë pa u lodhur për të përballuar këtë emergjencë.

Jam gjithashtu krenar të shoh Bashkimin Evropian dhe Shtetet Anëtare të saj duke treguar solidaritet në këtë moment të vështirë. Kjo është gjithashtu një kujtesë se duhet ta trajtojmë natyrën me kujdes dhe të veprojmë me përgjegjësi për ta mbrojtur dhe ruajtur atë” shprehet Gonzato.

Prej 72 orësh, vendi ndodhet në një situatë mjaft problematike me zjarret, ku në shumë qarqe flakët kanë dalë nga kontrolli duke djegur banesa, bagëti, dëmtuar parqe të mbrojtura, shumë banorë janë evakuuar, ndërsa fatkeqësisht edhe një person humbi jetën si pasojë e asfiksisë. Situata më problematike paraqitet në Gramsh, Delvinë, Tepelenë dhe Poliçan, ku flakët kanë hyrë në zonat e banuara.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, 29 vatra mbeten aktive, ndërsa në terren janë angazhuar 10,249 forca të zjarrfikësve, policisë, bashkive, emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura.  Gjithashtu në ndihmë kanë ardhur edhe 1 avion canader nga Italia, 2 avionë nga Greqia, 1 canader nga Kroacia, 2 helikopterë nga Hungaria, 1 helikopter nga Çekia, 1 helikopter nga Sllovakia, 2 avionë suedezë dhe 2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›