Ambasada e SHBA kritikon LVV për moscertifikimin e Listës Serbe: Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke kritikuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në deklaratën e saj, Ambasada thekson se përpjekjet për moscertifikimin e Listës Serbe janë vizion afatshkurtër dhe përçarëse, duke shtuar se veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës.
“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë të shkurtëpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagim.
Presidentja Vjosa Osmani dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor, pasi të dy kandidatët nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca nuk arritën të krijojnë qeverinë 9 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
/rtsh.al/