E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Synojmë të punojmë me Qeverinë e re për avancimin e prioriteteve të përbashkëta

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka deklaruar se, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur për të avancuar prioritetet e përbashkëta.

Sipas Ambasadës amerikane, shpresa është që partneriteti me Qeverinë e Kosovës të thellohet, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik.

“Shpresojmë që partneriteti ynë të thellohet me Qeverinë e Kosovës përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik. Kjo do të kërkojë veprim për të avancuar agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, tha zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Kosovë për REL.

Ky qëndrim vjen pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka thënë se raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë shumë të mira dhe se mospajtimet kryesore kanë qenë të lidhura me Serbinë dhe strukturat e saj, e jo me çështje bilaterale mes dy vendeve.

Në shtator të vitit 2025, Shtetet e Bashkuara njoftuan për pezullimin, për një kohë të pacaktuar, të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›