E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada e SHBA-së paralajmëron qytetarët amerikanë: Protestat janë përshkallëzuar në dhunë, shmangni zonat e tubimeve

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar një tjetër njoftim sigurie për protestat në kryeqytet, duke paralajmëruar se demonstratat pranë sheshit “Skënderbej” dhe godinave qeveritare janë përshkallëzuar në akte dhune.

Sipas njoftimit të publikuar sot, gjatë protestave janë përdorur mjete zjarrvënëse, janë hedhur gurë dhe janë dëmtuar prona publike e private.

Ambasada paralajmëron se tubime të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim.

“Demonstratat në Tiranë, që nisin në rrugën e Durrësit pranë Sheshit ‘Skënderbej’ dhe zhvillohen përreth godinave qeveritare në zonë, janë përshkallëzuar në dhunë”, thuhet në njoftim.

Ambasada thekson se protestat mund të shtrihen edhe në rrugët pranë zonave ku zhvillohen, duke sjellë prani të shtuar të policisë, probleme në qarkullim, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh. Për këtë arsye, personelit të ambasadës i është kërkuar të shmangë të gjitha zonat e protestave.

Në një njoftim të dytë, ambasada përsërit paralajmërimin për demonstratat në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Kukës dhe Elbasan, veçanërisht në qendrat e qyteteve dhe pranë ndërtesave qeveritare.

Ambasada thekson se disa prej tubimeve në këto qytete janë shoqëruar me dhunë dhe dëmtim të pronës publike e private.

Njoftimi paralajmëron gjithashtu për mbyllje të tjera ose kufizime të shërbimeve publike në të gjithë vendin, përfshirë transportin publik, zyrat shtetërore dhe shkollat.

Ambasada e SHBA-së u bën thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin demonstratat, të tregojnë kujdes ndaj mjedisit përreth dhe të ndjekin mediet lokale për informacionet më të fundit.

Ajo këshillon gjithashtu zbatimin e udhëzimeve të autoriteteve ligjzbatuese, mbajtjen e një plani emergjence ose rruge alternative largimi dhe shmangien e tërheqjes së vëmendjes në zonat publike.

“Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë”, thekson Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

1 nga 2

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›