E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasada franceze uron shqiptarët për Festën e Pavarësisë

Me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada e Francës në Tiranë ka përcjellë një mesazh urimi për popullin shqiptar, duke e cilësuar këtë ditë si një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare.

 “Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipërisë dhe shqiptarëve nga ekipi i Francës në Shqipëri!”, u shpreh ambasada përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në këtë ditë të shënuar, liderë nga e gjithë bota kanë dërguar mesazhe urimi për Shqipërinë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dërguar një telegram Presidentit Begaj, ku përveç urimeve për festën kombëtare, ka riafirmuar vullnetin e tij dhe të SHBA për forcimin e bashkëpunimit me vendin tonë.

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka shprehur urimet më të mira për Presidentin Begaj dhe për popullin shqiptar.

Ndërsa Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka rikonfirmuar mbështetjen për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar vendin tonë një partner të ngushtë dhe të besueshëm për Gjermaninë.

Presidenti i Kroacisë, në mesazhin e tij, ka kujtuar bisedën e zhvilluar me Presidentin Begaj gjatë Samitit të Brdo-Brijunit të mbajtur në Tiranë, ndërsa Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka theksuar se marrëdhëniet e thella me Shqipërinë si partner strategjik po zhvillohen çdo ditë, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë rajonal.

Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Kuvendi Kombëtar i drejtuar nga Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e vendit, duke i dhënë fund sundimit pothuajse pesëshekullor të Perandorisë Osmane dhe duke i hapur rrugën ngritjes së shtetit modern shqiptar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›