Ambasada italiane e shqetësuar për shitjen e vizave të saj

Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka nisur hetimet lidhur me rastin e sigurimit të vizave të paligjshme, të raportuar një ditë më parë nga KTV-ja. E ajo që është shqetësuar më së shumti nga ky raportim është Ambasada e Italisë, vizat e të cilës i shiste ndërmjetësi i kontaktuar nga KTV-ja. Me anë të një reagimi nëpërmjet adresës elektronike, ambasadori italian në Kosovë shprehet i befasuar, duke thënë se kjo e dëmton imazhin e Ambasadës.
“Vërtet jam befasuar pasi në mëngjes i kam parë disa raportime në KTV për çështjen e lëshimit të vizave dhe lidhur me një bisedë telefonike, në të cilat ishte përmendur Ambasada italiane. Zyra e Ambasadës për viza është duke i përcjellë me kujdes të shtuar dhe dedikim të plotë rregullat e Schengenit ashtu edhe ato kombëtare sa i përket procedurës së lëshimit të vizave. Po ashtu kërkoj nga autoritetet përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin hapat përkatës për të mbrojtur reputacionin tonë dhe të procedohen menjëherë, ata të cilët me praktika të tilla dëmtojnë të drejtat dhe interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadorit italian.
Ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme, e cila ka thënë se për këtë duhet të shqetësohen ambasadat dhe Ministria e Punëve të Brendshme. “Kjo çështje u takon Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ambasadave të shteteve, që lëshojnë këto viza. Ministria e Punëve të Jashtme apelon tërë kohën që qytetarët të ndjekin rrugët ligjore për udhëtime jashtë vendit dhe të mos shpenzojnë para kot për manipulues. Edhe kur Kosova të lirohet nga regjimi i vizave, ende do të ketë rregulla strikte rreth qëndrimit dhe punësimit në këto shtete”, ka thënë zv/ministri Selimi. Një ditë më parë, pas plasimit të kësaj oferte në internet se një vizë e tillë kushton 4 deri në 6 mijë euro, KTV-ja ka vënë kontakt me këtë person./Indeksonline/