Greqia nxjerr në shitje ministritë dhe zyrat e Policisë

Qeveria greke, që po drejton vendin në një krizë të thellë ekonomike, ka vendosur të hënën që të nxjerrë në shitje apo të japë me qira afatgjatë 28 ndërtesa shtetërore, përfshirë zyrat e taksave, ndërtesa ministrore dhe zyrat qendrore të Policisë në Athinë.
Sipas AP, fondi i privatizimit të qeverisë shpreson të mbledhë 30 milionë euro nga marrëveshjet e qiradhënies që do të jenë 20-25 vjeçare, transmeton Panorama. Në listën e ndërtesave që do t’i dorëzohen privatizimit janë pronat kryesore të përdorura nga Ministria e Drejtësisë, Edukimit dhe Kulturës, 12 zyra taksash, si dhe zyrat qendrore të Policisë. Investitorët duhet t’i paraqesin ofertat e tyre deri më 19 prill.
Do të nxirren në shitje apo privatizim afatgjatë edhe zyrat qendrore të Policisë në Selanik si dhe qytete të tjera, ndërtesa e Institutit Kombëtar të Statistikave, etj. Procesi i këtij privatizimi është imponuar nga kreditorët e Athinës dhe ka si klauzolë të drejtën e shtetit për t’i riblerë ato godina që do të shesë.
Më shumë se 2000 ndërtesa dhe reparte ushtarake janë nxjerrë në shitje apo janë dhënë me qira nga qeveria greke, në procese që po zvarriten më shumë nga sa ishte parashikuar. Shitja e 28 godinave të fundit konsiderohet si çështje emergjente. Greqia ka marrë nga BE dhe FMN 240 miliardë euro nga fondi i shpëtimit dhe duhet të krijojë mënyrat e duhura për t’i rimarrë ato./Indeksonline/