Ambasada shqiptare harron tre marinarët
Trupi diplomatik në Riad dhe përfaqësuesi Sajmir Bala, nuk u përgjigjen më as në telefon
Vali Qyrfyçi
Tre marinarët shqiptarë në Jemen, teksa kërkojnë drejtësi në këtë vend, vazhdojnë të përballen me indiferencën e shtetit të tyre temperaturat e larta dhe ushqimin e pakët. Mos na braktisni, ju lutem! Shteti të interesohet për ne dhe fatin tonë! Të dëshpëruar dhe të lënë në mëshirë të fatit nga shteti të cilit i përkasin, tre marinarët shqiptarë apelojnë për vëmendje. Sipas tyre, ambasada shqiptare në Riad dhe i ngarkuari me punë atje, Sajmir Bala, nuk u përgjigjen më as në telefon, duke u fikur dhe të vetmen rreze drite që shihnin në rajon. Avokati mbrojtës u është shprehur qartë se indiferenca e shtetit shqiptar ndaj tyre ndikon negativisht në qëndrimin e autoriteteve jemenase.
Shqetësimi
Gjatë një kontakti telefonik me oficerin e parë i anijes EOS, Mihail Cangonji, mësohet se ai së bashku me kryemekanikun Nezir Shahaj kanë lënë qelitë e burgut për të qëndruar në anije. Në burg gjendet vetëm kapiteni i anijes, Ari Bakillari. Bashkë me dy marinarët shqiptarë në anije qëndrojnë edhe marinarët indianë. Sipas Cangonjit, temperaturat e larta në Mukalla të Jemenit kanë mbërritur deri në 41 gradë celsius, ndërkohë që në anije ndodhet ende ngarkesa e rrezikshme me municione luftarake. Autoritetet vendase, duke dashur të shmangin ndonjë shpërthim të mundshëm dhe shmangur kostot e tepërta që do tu sillte ruajtja e anijes greke si dhe ndërhyrja në rast incidenti, kanë lejuar dy nga marinarët shqiptarë të qëndrojnë në anije. Ngarkesa kërkon kujdes e mirëmbajtje, ashtu si dhe anija, pronë e kompanisë greke EOS Navigation SA dhe nën administrimin e kompanisë Coasters Maritime SA. Ndërkohë, marinarët indianë nuk e kanë lënë Jemenin dhe pse vendimi gjyqësor ua mundësonte këtë. Një nga shkaqet është dhe se nuk janë paguar ende për punën e bërë nga kompania. Tre marinarët shqiptarë, përkatësisht me pozicione të rëndësishme në ekuipazh, u dënuan përkatësisht me 6 vjet burg secili nga Gjykata Penale e Faktit. Vendimi i ankimuar po shqyrtohet në Apel me një ritëm që lë shumë për të dëshiruar. Pas seancave të para, gjyqi është shtyrë për në datën 7 maj, kur pritet të marrin pjesë në sallë dhe përfaqësues të kompanisë Coasters Maritime. Ndërkohë, anija dhe marinarët e saj janë nën vëzhgim 24 orë nga shërbimet e marinës luftarake.
Apeli
Për më shumë se katër muaj, marinarët shqiptarë ndodhen të izoluar në Mukalla të Jemenit. Ata shpresojnë ende në ndërhyrjen diplomatike të shtetit të tyre, ndërsa të ndodhur mijëra kilometra larg ata as nuk mund ta mendojnë që politika dhe fushata elektorale që ka mbërthyer vendin, e ka zbehur dhe veprimtarinë e përfaqësive diplomatike. Ata vazhdojnë të kërkojnë ndërhyrjen e shtetit ku konfliktet e brendshme e bëjnë Jemenin një vend problematik përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe procedurave ligjore. Përpos situatës së vështirë në përballje me drejtësinë e këtij vendi, për një ngarkesë të ligjshme që ata thjesht po e transportonin, shqiptarët kanë nisur të përballen me temperaturat shumë të larta dhe ushqimin e pakët. Ata këmbëngulin se sa nuk ka asnjë vepër penale të konsumuar prej tyre dhe kjo është e verifikueshme nga dokumentacionet e anijes, ngarkesës së saj me armatim, si dhe monitorimit të itinerarit, lëvizjeve të saj nga strukturat e sigurisë ndërkombëtare.
Kalvari
Historia e anijes së bllokuar në Jemen që prej 16 dhjetorit
EOS u ndalua nga autoritetet e Jemenit dhjetorin e kaluar, ndërsa kishte si destinacion portin Um-Kasr (Umm Qasr) në Irak ku do të shkarkonte ngarkesën. Më 16 dhjetor, për shkak të një defekti anija kërkoi futjen, për riparim dhe furnizim me karburant, në portin Mukalla. Autoritetet i kanë lejuar dhe më pas kanë ndërhyrë duke sekuestruar ngarkesën dhe ndaluar të gjithë ekuipazhin e përbërë nga tre shqiptarë, dy indian dhe një shtetas grek. EOS u ngarkua në Tivar të Malit të Zi me armatim e municione për llogari të një kompanie serbe me destinacion Irakun. Nga Greqia, vendi ku drejtimin e anijes e mori kapiteni Ari Bakillari, anija u nis drejt Turqisë ku mori një tjetër ngarkesë për në portin e Aleksandrisë në Egjipt. Pas kësaj, kanë qenë anijet e NATO-s që e kanë shoqëruar veçanërisht përgjatë ujërave paralel me brigjet somaleze, që dallohen për nivel të lartë piraterie, deri në Kenia. Në Somali anija ka pasur një ndalesë 45 ditore për shkak të një defekti në motor dhe më pas është drejtuar për në Kenia, duke vijuar rrugën nga porti i Adenit në Jemen drejt portit të destinacionit në Irak. Ndalesa e detyruar në Mukalla bëri që ngarkesa të konsiderohet kontrabandë me mallra të ndaluar dhe marinarët kontrabandistë të saj në ndihmë të rebelëve vendas.
Ambasada shqiptare harron tre marinarët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email
