I bie tensioni në galeri, plagoset minatori 50-vjeçar
Sipas policisë, i dëmtuari ka humbur ndjenjat dhe ka rënë me fytyrë në një gur
Minatori Destan Koxha mësohet se ka pasur luhatje tensioni kur po dilte nga niveli 13 i minierës
Bulqizë – Një minator është plagosur rëndë, pasi duke dalë nga miniera ka humbur ndjenjat dhe gjatë rënies ka pësuar plagosje në kokë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, ndërkohë që minatori i plagosur, Destan Koxha, 50 vjeç, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave zyrtare nga AlbChrome, punonjësi i plagosur, pas mbylljes së turnit, duke dalë nga ambienti i punës, nuk është ndier mirë dhe ka humbur ndjenjat. Gjatë rrëzimit është dëmtuar në vetull dhe shumë shpejt është përmendur. Pasi i janë bërë kontrollet e emergjencës në ambientet e kompanisë dhe është vënë re se ka qenë me tension të lartë, është shoqëruar nga ana e Drejtorisë së Minierës dhe kolegët drejt spitalit të qytetit. Mjekët kanë konstatuar që nuk ka dëmtime të tjera përveçse në vetull. Ai i ka treguar vetë gjithë ngjarjen organeve të rendit dhe kolegëve të tij të interesuar se si kishte ndodhur. Mjekët e spitalit thanë se do të kontrollojnë situatën me tensionin sistolik të gjakut për ti dhënë kurën e nevojshme dhe për ta shoqëruar në shtëpi. Destan Koxha është ndër minatorët më të vjetër në minierën e kompanisë AlbChrome. Fillimisht, u mendua se në minierë kishte pasur shembje gurësh, që kishin shkaktuar plagosjen e minatorit 50-vjeçar, por kjo u sqarua më pas nga vetë i dëmtuari, i cili ka rrëfyer se çfarë ka ndodhur. Megjithatë, incidente të tilla nuk kanë munguar në miniera, ku nuk kanë munguar rastet që minatorët kanë humbur jetën. H. Likdisha
I bie tensioni në galeri, plagoset minatori 50-vjeçar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email