Ambasadorë me veshje shqiptare

Me një portret të George Bajronit e realizuar në vitin 1813, në të cilin ka veshur një kostum popullor shqiptar hapet ekspozita e fotografit Roland Tasho në Muzeun Historik Kombëtar ne Tirane.
Fill pas tij, ekspozita vazhdon me Edith Durham, për më tej me albanologun dhe konsullin austriak, Theodor Ippen, në Shkodër, Ferenc Nopcsa, Josef Roth etj. Për të ardhur më pas tek fotot me ngjyra të fotografit Roland Tasho, të cilat e kanë zanafillën e tyre që prej vitit 2001.
Që nga e marta, shqiptarët do të kenë mundësi të shohin plot 16 ambasadorë të vendeve të BE-së dhe 24 personazhe evropiane nga fusha të ndryshme, ashtu si nuk i kanë parë më herët.
Fotografia e parë që ka ndezur shkëndijat e kësaj ekspozite ka qenë e dy vajzave të ish-ambasadorit të Italisë Mario Bova. Janë dy vajzat Malanika dhe Eva Bova, të cilat dhe pse nuk kanë ndonjë lidhje të ngushtë me Shqipërinë kanë veshur kostumet tona popullore.
Më pas ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi ka hedhur idenë për të realizuar një ekspozitë me këto fotografi në nderim të ditës së Bashkimit Evropian. Vetë Sequi mban veshur një nga këto kostume popullore.
Ashtu sikurse dhe disa nga ambasadorët e tjerë të vendeve anëtare të BE-së në Shqipëri. Kush me fustanellë dhe kush me tirqe, nuk ka hezituar që të bëj fotografi. Ka dhe nga ata që mbajnë në duar sende të ndryshme si çibuk, pistoletë, apo shpatë, për ta bërë sa më të plotë kostumin.
Ambasadorja gjermane Carola Müller-Holtkemper eshte me pushkë në brez. Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduart Kukan eshte fotografuar me një fustanellë nga jugu i Shqipërisë, si dhe Ambasadori austriak, Florian Raunig së bashku me familjen e tij me veshje tradicionale kombëtare.
Ndër ambasadorët janë edhe ish-danezi Karsten Ankjaer Jensen dhe ish-holandezi Henk van den Dool, të njohur për deklaratat e fjalimet e tyre pa dorashka dhe jashtë petkut diplomatik në Shqipëri. /Indeksonline/