E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elina Duni në "Amigos para siempre”

"Amigos para siempre”- “Miq përgjithmonë” është mesazhi i Koncertit të Evropës, që  zhvillohet sot në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ne Tirane.

Në Ditën e Evropës, nën kujdesin e përfaqësuesit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, në skenën e TKOB-së do të ngjiten disa nga emrat e artistëve më të shquar shqiptarë, të cilët po bëjnë karrierë në skenat e Europës.

Shoqëruar nga Orkestra Filarmonike e Teatrit të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e Zhani Cikos, interpretojnë mexosopranoja Enkelejda Shkoza, e cila vjen nga skenat më të njohura italiane, por edhe në Vjenë, Barcelonë, Londër, Paris etj., baritoni Gëzim Myshketa, një yll në ngritje në skenat europiane, këngëtarja e xhazit, Elina Duni, violonçelisti Renato Ripo, një nga talentet më premtues në Shqipërinë e para ’90-s, prej vitesh pjesë orkestrash e formacionesh të rëndësishme harqesh, violinisti Olen Çezari, viteve të fundit gjithnjë e më i pranishëm në Shqipëri me koncertet e tij.

Të ftuarve nga jashtë u shtohen disa nga emrat më në zë të skenës shqiptare, si Kamenica, Kllogjeri, Likaj etj. Programi është përzgjedhur me kujdes, duke përfshirë pjesë nga kryevepra të operistikes botërore nga Verdi, Rossini, Bizet, Mozart, njoftojne mediat shqiotare. Ngjyrime shqiptare i shtohen përmes veprave të të huajve për Shqipërinë si “Scanderbeg” i Vivaldit apo “Ali Pashë von Janina” i Albert Lortzing.

Prej vitesh, 9 maji festohet si Dita e Evropës. Kjo ditë përkon me dy ngjarje të mëdha në historinë evropiane. Së pari me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe fitoren ndaj nazizmit, por edhe me prezantimin nga Robert Schuman në vitin 1950 të një plani për bashkëpunim ekonomik në rang europian, që do të ishin edhe bazat e krijimit të familjes evropiane më vonë. Prej disa vitesh, Dita e Europës kujtohet edhe në Shqipëri, përmes aktivitetesh të ndryshme, koncerte, ekspozita etj. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›