E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët: Kujdes me Kushtetuesen!

Withers, McIlwham dhe Bosch: Të shmangen ndërhyrjet politike
Ndërkombëtarët po markojnë ngushtësisht qeverinë shqiptare jo vetëm për shmangien e krizës politike. Në një takim publik, ku merrnin pjesë burra të shtetit, ekspertë dhe diplomatë, tre ambasadorë të rëndësishëm i kanë bërë thirrje mazhorancës që të ketë kujdes në përzgjedhjen e gjashtë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe të mos vendosin njerëzit e besuar të partisë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, tha se respektimi i rregullave demokratike është respektim i Kushtetutës. “Zgjedhjet janë pjesë e rëndësishme e një demokracie, ato duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me institucionet e mirëqeverisjes, institucioneve demokratike, si edhe pavarësisë së një shteti demokratik. Në funksionimin e tyre institucionet duhet të përballen me Kushtetutën dhe kësisoj edhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të gjykatës duhet të bëhet sipas ligjit themeltar të shtetit. Vetëm kështu mund të sigurohet pavarësia e një prej gjykatave më me peshë në demokracinë e një vendi”, theksoi Withers. Ndërkaq, ambasadorja e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabet II të Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlwham, i ka bërë të ditur qeverisë se institucionet e pavarura janë kusht thelbësor i BE-së. “Një gjyqësor i pavarur është një nga gurët themelorë të një vendi demokratik dhe një kriter i Bashkimit Europian. Gjykata Kushtetuese ka një rol qendror. është jetike që procesi përzgjedhës i anëtarëve të rinj të tërheqë kandidatët më cilësorë dhe të forcojë më tej integritetin dhe profesionalizmin e gjykatës”, u shpreh ajo. Ambasadorja mirëpret edhe përpjekjet e Presidentit Topi për t’i dhënë fund krizës politike aktuale dhe vullnetin e drejtuesve të partive për të marrë pjesë në tryezën e bisedimeve të shtunën. “Qeveria britanike është e angazhuar të punojë me udhëheqësit politikë për të mbështetur demokracinë dhe reformat në Shqipëri. Zgjidhja e ngërçit politik duhet të jetë prioritet imediat”, këmbënguli McIlwham. Ndërkaq, kreu i OSBE-së, Robert Bosch, i ulur në tryezë pak minuta pas takimit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, nënvizoi se depolitizimi i institucioneve është kyçi i pavarësisë në Shqipëri. “E rëndësishme për funksionimin e demokracisë në Shqipëri është që të parandalohet politizimi i çdo institucioni në vend, në mënyrë të veçantë për institucionet e sistemit gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Bosch. Shqipëria futet që në javën e ardhshme në qerthullin e zgjedhjes së drejtuesve apo pjesëtarëve të institucioneve të pavarura kushtetuese. Përpara zgjedhjes së gjashtë anëtarëve të rinj të Kushtetueses, proces i cili ka nisur nga Presidenti, imediat është zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit, pasi i mbaron mandati i dytë Emir Dobjanit. Por Parlamenti nuk i ka nisur procedurat, pasi nuk ka votat e duhura për të zgjedhur kreun e këtij institucioni, i cili merr fuqinë vetëm me 84 vota. Më pas do të zgjidhen gjashtë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, të cilët emërohen nga Presidenti dhe Parlamenti jep pëlqimin me shumicën relative të votave. Pas anëtarëve të Kushtetueses, duhet të emërohen edhe dy anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë që iu mbaron mandati. Procedura është e njëjtë me Kushtetuesen.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›