E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmadinexhad: Jemi një vend bërthamor

Në 31-vjetorin e revolucionit islamik janë shënuar të tjera përplasje
Tensioni ka arritur kulmin në Iran në ditën përkujtimore të 31-vjetorit të revolucionit islamik, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit politik në vend. Presidenti iranian ka bërë kërcënime të ashpra në drejtim të Izraelit, duke e akuzuar Presidentin amerikan se i është nënshtruar shtetit hebre. Dhjetëra mijëra vetë kanë zbritur në shesh për të dëgjuar fjalimin tij, po ashtu një numër i madh opozitarësh kanë përfituar nga rasti për të ndezur sërish protestat që kanë nisur qysh prej zgjedhjeve të kontestuara të qershorit. Edhe pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar rrjetet e ndryshme sociale flasin për 2 persona të vrarë në Teheran dhe një në Shiraz. Mes tyre edhe një vajzë. Sipas asaj që raportohet njëra prej viktimave është femër. Emri i saj është Leila Zarei, 27 vjeç, madje është identifikuar edhe autori i ngjarjes, që mendohet se është një prej pjesëtarëve të policisë. Forcat e sigurisë iraniane kanë gjuajtur me gaz lotsjellës për të shpërndarë manifestuesit opozitarë që kishin nisur të hidhnin parulla kundër qeverisë. Sipas raportimeve, Mir Hossein Mousavi e Mahdi Karroubi janë sulmuar nga njerëz me rroba civile në makinën e tyre teksa po i drejtoheshin protestave.
Forcat e sigurisë për një kohë të shkurtër arrestuan edhe mbesën e Ayatollah Khomeinit, arkitektit të revolucionit islamik në vitin 1979, si dhe bashkëshortin e saj. Përplasje ka pasur thuajse në të gjitha sheshet dhe shumë vetë janë arrestuar, ndërsa policia ka qëlluar edhe në ajër për të shpërndarë turmën. Në fjalimin e tij, Mahmoud Ahmadinejad ka sulmuar ashpër edhe Barak Obamën që sipas tij “po humb shansin për të ndryshuar politikën amerikane duke u bërë shërbëtor i interesave të izraelit. Fatkeqësisht, shpresa e një ndryshimi në politikën amerikane po gjeneron në zhgënjim. Obama po ecën në drejtimin e gabuar, në drejtimin që është kundër interesave të tij dhe të popullit iranian”, tha Ahmadinejad para mijëra mbështetësve. Ndërkaq, Presidenti tha se “Irani ka prodhuar tashmë sasinë e parë të uraniumit të pasuruar 20 për qind. Tashmë jemi një shtet bërthamor. Uraniumi u pasurua në impiantin atomik të Natazit dhe u është dorëzuar shkencëtarëve tanë. Për më tepër, Irani është në gjendje ta pasurojë uraniumin jo vetëm 20 për qind, por më shumë se 80 për qind. Megjithatë, këtë nuk do ta bëjë, sepse nuk ka nevojë”. Presidenti iranian nga ana tjetër ka deklaruar se Teherani ka ndërmend ta trefishojë së shpejti prodhimin e uraniumit të pasuruar në masën 3.5 për qind”. Irani është nën kërcënimin e sanksioneve të reja ndërkombëtare për shkak të refuzimit të ndërprerjes të aktivitetit të pasurimit. Perëndimi dhe Izraeli dyshojnë se Teherani po kërkon të prodhojnë armë bërthamore, nën mbulimin se do e përdorë atë për qëllime paqësore. Ai shtoi më tej se armiqtë e Iranit po e përdornin çështjen bërthamore dhe atë të të drejtave të njeriut për të dominuar në rajon. “Vendet perëndimore po përpiqen të ndalojnë progresin e Iranit, por këtë nuk kanë për ta arritur kurrë”, përfundoi ai. Qyteti ishte blinduar nga forca të shumta policore, ndërsa gazetarëve të huaj nuk iu lejua të ishin pjesë e kortezhit. Shumë sajte interneti dhe komunikimi përmes postës elektronike u bllokuan në vend.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›