Qeveritë shqiptare e dinin ekzistencën e varrit masiv

Investigim gazetaresk
Për dy dekada, zyrtarë të Ministrisë së Brendshme i drejtuan familjarët te vendi i ekzekutimit
Qeveritë shqiptare e dinin shumë mirë ekzistencën e varrit masiv vetëm pesë kilometra në lindje të kryeqytetit Tiranë, por nuk bëri asgjë për dy dekada për nxjerrjen e eshtrave dhe kthimin e tyre te familjet, një investigim gazetaresk i gazetës “Shqip” dhe agjencisë rajonale Balkaninsight mund ta vërtetojë.
Dokumente të marra nga arkivat e Ministrisë së Brendshme dhe intervistat me të afërm të viktimave, tregojnë se zyrtarë të ministrisë kanë shpërndarë dokumente dhe informacione në mënyrë zyrtare apo informale te të afërmit dhe në disa raste i kanë shoqëruar ata në vendin e ekzekutimit.
Ekzistenca e varrit masiv u bë e ditur pasi djemtë e dy prej të ekzekutuarve nga regjimi komunist në vitin 1976 kryen gërmime masive private në kërkim të eshtrave të baballarëve. Të shtunën e kaluar, eshtrat e gjetura të 19 njerëzve u dorëzuan në morgun e Tiranës, ndërsa publikimi i lajmit mbi vendin e ekzekutimit ndërgjegjësoi autoritetet mbi nevojën për identifikimin e tyre. Këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes zbuloi një pjesë tjetër kafke.
Shqipëria është një nga pak vendet përtej Perdes së Hekurt që nuk i ka hapur arkivat e shërbimit sekret të kohës së komunizmit. Askush nuk i ka numëruar me të vërtetë të ekzekutuarit apo të burgosurit, kështu që nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e tyre. Nuk ka as ndonjë statistikë se sa qenë të ekzekutuar për të ashtuquajturat “krime ordinere” dhe sa për “krimet politike”. Shoqatat e ish të persekutuarve politikë besojnë se 5577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan përgjatë 45 viteve të sundimit komunist.
Dy dekada pas rënies së regjimit komunist, mijëra të afërm të të ekzekutuarve apo atyre që vdiqën në burgje ende kërkojnë të dinë se ku prehen të dashurit e tyre.
Duke reaguar pas publikimit të lajmit, i cili u shumëfishua nga media shqiptare, Kryeministri Sali Berisha u shpreh i habitur. Sipas tij, ngjarja ishte “zbulim tronditës dhe prekës deri në thellësi të shpirtit e ndërgjegjes”.
“Mjerisht më duhet të kaloj nga ky lajm, në një lajm thellësisht tronditës, prekës deri në thellësi të shpirtit dhe ndërgjegjes njerëzore. Zbulimin e varrezës masive në veri të Tiranës. Në këtë vend në afërsi të një reparti ushtarak janë gjetur trupat e 19 të ekzekutuarve me një plumb në kokë. Nuk dihet koha. Nuk dihet në se janë këta të grupit të deputetëve, apo janë të ekzekutuar pa gjyq, apo ndoshta janë të vitit ’90 dhe të ngjarjeve të ambasadave”, tha Berisha. Dokumente dhe intervista tregojnë në fakt se qeveritë shqiptare e dinin se përse qe përdorur Reparti 313 dhe se kush ishte ekzekutuar atje.
Ai kërkoi krijimin e një instituti për memorien kombëtare sipas modelit të një instituti të ngjashëm të krijuar në Republikën çeke.
“Në Parlament ne kemi në diskutim një ligj për krijimin e institutit të memories kombëtare”, u tha Berisha deputetëve të vet. “Ju lutem shikojeni atë ligj për krijimin e institutit që duhet të hedhë dritë mbi barbaritetin e regjimit komunist”, shtoi ai.
Tri ditë pas publikimit të lajmit, Partia Socialiste kërkoi “identifikim të eshtrave dhe ceremonial në kujtim të viktimave”.
“Partia Socialiste fajëson Sali Berishën si njeriun që për 20 vjet me radhë ka keqpërdorur kauzën e të përndjekurve politikë, duke e sjellë në vëmendjen publike sa herë i është nevojitur, por pa ofruar kurrë një zgjidhje që do të qetësonte shpirtrat dhe do të rikthente krenarinë e atyre që vuajtën një nga diktaturat më të egra në Europë.
Partia Socialiste i kërkon publikisht Sali Berishës të mundësojë, përmes strukturave të specializuara të shtetit, jo vetëm identifikimin e menjëhershëm të eshtrave të gjetura, por edhe zhvillimin e një ceremoniali të denjë në kujtim të viktimave dhe në nderim të familjarëve të tyre.
Krimet e të kaluarës duhen zbardhur. Ato duhen dënuar. Por në asnjë mënyrë krimet e së kaluarës nuk mund të përdoren për të mbuluar mëkatet e së tashmes”, deklaroi deputetja Olta Xhaçka në emër të Partisë Socialiste.
I moshuari në kërkim të shokut
Gjithsesi, një dokument që ra në dorë të gazetës “Shqip” gjatë këtij investigimi gazetaresk tregon se Ministria e Brendshme ka lëshuar informacion për familjarët përmes një shkrese zyrtare, që mban numër protokolli dhe vulë të njomë. Dokumenti iu të atit të një të ekzekutuari dhe tregon se një djalë i ri dhe bashkëshortja e tij qenë ekzekutuar më 10 qershor 1985, ora e ekzekutimit, 17.00. Urdhri i ministrit të Brendshëm për ekzekutimin nr. 820/1. Vendi i ekzekutimit: Linxë, në afërsi të vendkomandës së drejtorisë. Skema e vendvarrimit nuk gjendet. Gazeta “Shqip” kërkoi shpjegime nga Kryeministri Sali Berisha mbi dijeninë e ekzistencës së vendekzekutimit pranë Repartit 313, por nuk mori përgjigje.
Dokumenti i qe dorëzuar më 3 mars 2007 të atit të Lumturi Bokës, e cila së bashku me bashkëshortin e saj, Elmaz Uka, u ekzekutuan në vitin 1985.
Një mik i çiftit, i cili ishte akuzuar së bashku me ta për krimin e vrasjes, por që më vonë u lirua i pafajshëm, udhëhoqi përpjekjet për gjetjen e eshtrave së bashku me të atin e Lumturisë, i cili është ndarë nga jeta, por nuk arritën t’i gjenin. Ai ishte një nga njerëzit që vrapoi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, pasi u informua mbi gjetjen e eshtrave.
“Para se të vdiste, i ati i vajzës më la dokumentin e lëshuar nga Ministria e Brendshme”, thotë 50-vjeçari që nuk dëshiron të citohet me emër. “Një punonjës i Ministrisë së Brendshme na shoqëroi te vendi. Te varri 313 kemi parë shumë gropa të tjera të hapura. Për një varr na thanë se ky është “vorri i krutanit”. E mbuluam sërish”.
“Drejtësia” komuniste
“Mua më akuzuan se isha pjesëtar në krim. Disa thoshin se ishte menduar që të ekzekutohesha unë dhe Elmazi për të shpëtuar vajzën. Tri herë më lidhën këmbët dhe qafën pas një karrigeje dhe më vendosën elektroshotin në kokë. Një njeri me zemër të dobët mund ta pranonte kryerjen e krimit. Unë mund ta kisha pranuar. Por shpëtova, ndërsa ata u ekzekutuan. Ende më këndon gjinkalla në vesh”, rikujton ai. Tregon se pas viteve ’90 e ka parë në rrugë hetuesin që kryente torturat. “Nuk i fola”, shton ai. “Për sa kohë nuk i gjendet varri, për mua Elmazi është i gjallë”, shprehet.
E tillë qe “drejtësia” në sistemin komunist. Njerëzit detyroheshin nën tortura të pranonin akuzën. “Ka pasur krime të përbindshme”, tregon një ish-hetues i pyetur gjithashtu në konfidencialitet. “Sigurimit të Shtetit iu vendos një normë. Cilësia e punës së tyre varej nga numri i arrestimeve. Më e keqja erdhi kur një urdhër nga lart i detyroi hetuesit që në të gjitha rastet, kur një i pandehur akuzohej për veprën e sabotimit të pronës socialiste, duhej që akuza të shoqërohej gjithmonë me nenin Agjitacion e Propagandë”, rikujton ai.
Megjithëse qeveria shprehet sot e habitur për zbulimin e vendgroposjes së të ekzekutuarve gjatë regjimit komunist, kanë qenë të shumtë zyrtarët që kanë punuar nën qeveri të ndryshme që e dinin. “Kur shkova për herë të parë te Reparti 313 në vitin 1999, për të hyrë në atë zonë kërkohej ende një leje e posaçme”, thotë një njeri i mirinformuar, i cili ka kërkuar varret e shumë njerëzve në zonë dhe që e shoqëron tregimin me një numër të madh emra familjarësh e viktimash, të famshëm e të panjohur.
“Shumë varre kishin elementë identifikues. Njërit ekzekutuesi në përgjigje të lutjes së fundit i kishte vendosur nën kokë dy rripa mesi dhe një orë,”- shton ai. Viktimat varroseshin aq cekët, sa mes ferrave që mbytën luginën me kalimin e viteve, mund të dalloje majat e gallosheve të ndonjë të ekzekutuari, sipas dëshmive të mbledhura gjatë këtij investigimi gazetaresk.
“Shpesh, familjarët që zbulonin një varr, bindeshin që nuk ishte njeriu që kërkonin dhe i rivarrosnin eshtrat sëbashku me sendet personale, me mendimin se familjari i tyre mund t’i gjente,” shton ai. Në fillim të viteve ’90, familjarët e viktimave të fundit të komunizmit shtinë në dorë informacione të plota apo të pjesshme për vendvarrosjen e të afërmve të tyre. Në atë kohë, urdhri për moskthimin e trupit të të ekzekutuarve te familjet qe ende në fuqi. Ai urdhër ka gjasa të jetë ende teknikisht në fuqi.
Duke parë një pjesë të listave me sendet personale me vlerë të të vdekurve të repartit 313, mund të vlerësohet se disa dhjetëra njerëz janë varrosur aty pasi janë ekzekutuar. Por vendi mësohet se është përdorur edhe për hedhjen e kufomave të atyre që vdiqën nëpër hetuesi gjatë marrjes në pyetje. “Shumica dërrmuese e ekzekutimeve kryheshin në Tiranë,” – thotë një zyrtar i kohës.
“Vendgroposjet përzgjidheshin në mënyrë që tillë që të mos gjendeshin ose të zhdukeshin. Por në çdo rast, ekzekutimi shoqërohej me dokumentacion të plotë, përfshirë edhe hartat e vendit,” – thotë një ish-zyrtar.
#