E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët: Pranoni vendimin e Kolegjit

Kreu i prezencës së Komisionit Europian në Tiranë, Ettose Sequi, deklaroi dje se pret që procesi i integrimit europian të konsiderohet si axhendë kombëtare në Shqipëri. Duke ju referuar Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, Sequi tha se qeveria dhe opozita shqiptare duhet t’i rikthehen dialogut politik dhe të tejkalojnë ngërçin e gjatë politik. “Ky dialog i tillë është i rëndësishëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike, duke përfshirë këtu funksionimin efikas të parlamentit dhe menaxhimin e vendit drejt axhendës europiane. Nëse më duhet të përkthej këtë mesazh, do të thotë që integrimi Europian i Shqipërisë pa dialog, është si një biçikletë, që është në rrugë për të ecur, por s’ka rrota për të lëvizur”, theksoi Sequi. Sakaq, ambasadori i Hungarisë, Sandor Molnari komentoi edhe zhvillimet e fundit politike në prag të vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor. “Mund të themi se patëm kënaqësinë të shihnim që para zgjedhjeve lokale kishte filluar puna për zbatimin e planit për zgjerimin dhe meqenëse procesi paszgjedhor është ende në vazhdimësi, dua të theksoj se nuk ka asnjë alternativë tjetër realiste për Shqipërinë, përveç nisjes së dialogut politik. Ne jemi të mendimit që ky është synimi kryesor për Shqipërinë, mundësisht gjatë vitit 2011, por çelësi i kësaj pune do të jetë zbatimi i atyre detyrave që janë nxjerrë nga Komisioni Europian, 12 prioritetet”, tha Molnari. Pavarësisht se cili do të jetë rezultati që do të dalë nga Kolegji Zgjedhor, vijoi ai, unë shpresoj shumë se palët ta pranojnë vendimin sepse në një vend ku sundon ligji dhe shteti së drejtës, duhet të pranohet vendimi i institucioneve ligjore. 30 qershori ishte dita e fundit e presidencës hungareze të Bashkimit Europian dhe tanimë pritet që ditën e sotme dhe deri në përfundim të vitit, të ketë drejtimin e presidencës Polonia. Sakaq, ambasadori i Spanjës, Rafael Perez ndahu të njëjtin qëndrim me ambasadorin e BE-së dhe atë të Hungarisë në Tiranë, duke vendosur theksin te dialogu brenda spektrit politik. “Jam njëzëri me dy ambasadorët, që gjithë kjo situatë të zgjidhet në një kohë sa më shpejt në favor të vendit”, tha Perez.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›