E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS në Kolegj: Provat për pavlefshmërinë e “Tiranës”

Partia Socialiste depozitoi dje në Kolegjin Zgjedhor padinë, përmes të cilës kundërshton vendimin nr.1158 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si antiligjor dhe rrjedhimisht kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë. Duke ju referuar tabelës së rezultatit për kryetar Bashkie, socialistët thonë se numri i fletëve të votimit të gjendura në kutinë e votimit të jetë i barabartë me numrin e votuesve, por rezulton se në kuti janë 870 fletë votimi më shumë se votues. Së dyti, pretendohet se numri i fletëve të votimit të gjendura në kuti, në mënyrë absolute dhe në çdo rrethanë, duhet të jetë i barabartë me shumën e numrit të votave të vlefshme me votat e pavlefshme. PS thotë se janë 626 fletë votimi më shumë në kuti, se gjithë fletët e votimit që janë vlerësuar. Së treti, përcaktohet se numri i votuesve duhet të jetë i barabartë me shumën e fletëve të votimit të vlefshme me ato të pavlefshme. “Nga TPRZ kemi që, numri i votuesve është 256 507 dhe shuma e votave të vlefshme me votat e pavlefshme është 256 751 (251 389 vota të vlefshme + 5 362 vota të pavlefshme). Rezulton se janë vlerësuar 244 fletë votimi më shumë se numri i votuesve”, thuhet në ankimim. PS vlerëson se të dhënat që pasqyron tabela e rezultatit nuk janë sipas ligjit e se këto mospërputhje dhe/ose kontradikta në këto dhëna e bëjnë këtë akt, apo këtë dokument të pasaktë dhe të paligjshëm. Duke hedhur poshtë mundësinë e ekzistencës së një gabimi njerëzor, PS thotë se mospërputhje dhe parregullsi të tilla, veçanërisht në kushtet e një diference prej 93 votash ndërmjet dy kandidatëve pretendues, janë fakte akoma më shumë detyruese për KQZ, që të hetojë dhe të shpjegojë ligjërisht (ose logjikisht të paktën) se përse janë këto mospërputhje. “Në rastin konkret, KQZ–ja është mjaftuar me ndërhyrjen në pjesë të veçanta të saj, duke konkluduar në një produkt me mospërputhje në shifra ku numri i fletëve të votimit nuk rakordon me numrin e vullneteve të shprehura (numrin e zgjedhësve) në Qendrat e Votimit (QV)”, thotë PS. Juristët e selisë rozë pretendojnë sakaq se edhe procesi i hapjes së kutive të votimit nga KQZ, bazuar në vendimin e Kolegjit Zgjedhor nr.67, datë 13.06.2011, evidentoi shkelje të tjera të rënda të dispozitave të Kodit. “Në zbatim të urdhërimit të Kolegjit, detyra e KQZ ishte të hetonte 1472 kuti votimi. KQZ-ja hetoi 1793 kuti votimi. Prej këtyre në rreth 500 kuti të hetuara u konstatuan një sërë shkeljesh”, thuhet në ankimim. Aty rreshtohen problemet me mos rakordimin e kodit të 5 të sigurisë, kutitë e dëmtuara, mundësia e ndërhyrjes nga jashtë në një sërë kutish votimi, mungesa krejtësisht e zarfeve të fletëve të pavlefshme në kutitë e votimit, etj. Në konkluzion PS vlerëson se janë në rreth 30% të kutive të hetuara u konstatuan dhe dokumentuan probleme serioze të integritetit dhe sigurisë së tyre, gjë që vendos në pikëpyetje të drejtpërdrejtë integritetin e materialit zgjedhor që ndodhet brenda tyre. Diferenca ndërmjet votave të vlefshme dhe votave të pavlefshme me numrin e zgjedhësve për Bashkinë Tiranë në 109 QV është 248 fletë votimi më shumë se zgjedhës. Pra 248 vota që nuk i përkasin vullnetit të zgjedhësve. Diferenca ndërmjet votave të vlefshme dhe votave të pavlefshme me numrin e zgjedhësve për Bashkinë Tiranë në 175 QV të tjera është 506 fletë votimi më pak se zgjedhës. Pra mungon vullneti i 506 zgjedhësve. PS thotë se provohet që për 40 Qendra Votimi, të cilat kanë qenë të balancuara, pra numri i fletëve të votimit të gjetura në kuti është i barabartë me numrin e zgjedhësve, janë transformuar në kuti, të cilat kanë fletë votimi më shumë se zgjedhës, në total janë 75 fletë votimi më shumë. Gjithashtu provohet se në 99 Qendra Votimi të tjera, të cilat kanë qenë të balancuara e tashmë kanë më pak fletë sesa zgjedhës, në total u mungojnë 240 fletë votimi. Nga ana tjetër, 145 QV mbartin parregullsi të cilat dhe pas rivlerësimit të bërë nga KQZ-ja nuk u arrit të rregulloheshin për shkak të natyrës së shkeljeve të ligjit. D.Malaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›