E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja e fundit për Tiranën, si votuan më parë 5 gjyqtarët

TIRANË- Të pesë anëtarët, që u caktuan dje me short për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendrat e votimit në Tiranë, kanë qenë firmëtarë edhe të vendimeve të mëparshme që ky Kolegj ka marrë për kryeqytetin. Në shortin e hedhur gjatë paradites së djeshme është vendosur që relator i çështjes të jetë gjyqtari Astrit Kalaja, ndërsa anëtarë të trupës gjykuese do të jenë gjyqtarët Dhurata Haveri, Marie Qirjazi, Sashenka Jonuzi dhe Petraq Dhimitri. Të pesë këta anëtarë kanë qenë protagonistë të vendimeve të mëparshme, ku dy prej tyre, Sashenka Jonuzi dhe Marie Qirjazi, kanë qenë kryesisht mbështetëse të ankimimeve të PS-së.

Dy gjyqtaret në fjalë kanë votuar kundër vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor, për hetimin administrativ përmes hapjes, këqyrjes dhe vlerësimit të të gjitha fletëve të hedhura jo në kutinë përkatëse, pavarësisht nga zarfi ku ndodhen (zarfi i fletëve të pavlefshme apo të kontestuara). Sipas atij vendimi të Kolegjit, procedura e ndjekur për 117 kuti votimi, do të duhej të shtrihej edhe për pjesën e mbetur të QV-ve në Zonën Zgjedhore të Bashkisë Tiranë. Sashenka Jonuzi dhe Marie Qirjazi votuan kundër këtij vendimi, duke pranuar de fakto ankimimin e PS-së. Megjithatë, ato kanë votuar kundër PS-së në padinë e dytë depozituar Kolegjit Zgjedhor, që lidhej me pretendimin e PS-së për konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të vendimit të KQZ nr. 709, datë 23.05.2011 "Për vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara për Kryetarin”. Sashenka Jonuzi ka qenë edhe relatore e gjykimit të çështjes për komunën Kolsh, ku Kolegji urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve sepse diferenca mes dy kandidatëve ishte pesë vota, ndërsa në kuti gjendeshin tetë vota më shumë sesa votues. Sipas Kolegjit, numri i votave më shumë të gjetura në kuti mund të ndryshonte rezultatin. Ndërkohë, dy anëtarët e tjerë të Kolegjit Zgjedhor, Astrit Kalaja dhe Dhurata Haveri, kanë qenë firmëtarë të dy padive të depozituara më parë nga PS-ja, duke rrëzuar njërën prej tyre dhe pranuar pjesërisht padinë tjetër. Kalaja dhe Haveri, së bashku me gjyqtaren tjetër Mullaj, që nuk është në këtë padi të fundit të PS, votuan kundër pjesës më të madhe të ankesës paraardhëse të PS-së, duke vendosur vetëm numërimin e gjithë votave të hedhura gabim në Tiranë.

Anëtari i fundit i Kolegjit, Petraq Dhimitri, është firmëtar i rrëzimit të dy padive të PS-së, njërës padi që kërkonte si absolutisht të pavlefshëm vendimin e KQZ nr. 709, datë 23.05.2011 "Për vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara për Kryetarin” dhe padisë tjetër të PS-së që synonte të detyronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të miratonte tabelën përmbledhëse të rezultateve të KZAZ-së 49, që i përket njësisë 5 në Tiranë, sipas tabelave të rezultateve të hartuara nga grupet e numërimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›