E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët takojnë Topin: Zgjedhjet lokale,në afatin Kushtetues

Topi shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të organizmave ndërkombëtare dhe të vendeve mike e aleate, në forcimin e shtetit të së drejtës

Zgjedhjet e 8 Majit ishin në qendër të diskutimeve që kreu i shtetit Bamir Topi zhvilloi dje pasdite me disa prej ambasadorëve perëndimore të akredituar në Tiranë. Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, dhe ai i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wolfarth, kanë shkëmbyer me Presidentin vlerësimet për përgatitjen e zgjedhjeve. Fillimisht, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të organizmave ndërkombëtare dhe të vendeve mike e aleate në forcimin e shtetit të së drejtës, demokratizimin e mëtejshëm të vendit, konsolidimit të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe më aktualisht, në mbarëvajtjen e procesit përgatitor të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve, jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe të vetë zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura. Gjithashtu, kreu i shtetit shqiptar përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur, për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese, më 8 maj 2011. Ambasadorët Arvizu, Sequi dhe Wolfarth shprehën kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, të cilin e konsideruan si tepër të rëndësishëm, dhe ndanë të njëjtin mendim, lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Kreu i shtetit shqiptar, së bashku me ambasadorët e vendeve mike dhe aleate, nënvizuan domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike. Ndërkaq, bashkëbiseduesit, duke vënë në pah se respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë. Një ditë më parë, në një takim me Drejtorin Rajonal për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Jashtme britanike, Daniel Fërn, Presidenti Topi nënvizoi domosdoshmërinë se përmbushja e standardeve integruese është një detyrim për shtetin shqiptar, në shërbim të interesave dhe aspiratave madhore të popullit shqiptar. Në këtë pikë, Presidenti Topi theksoi rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, sidomos duke pasur parasysh trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit dhe zvarritjen e papranueshme të procesit gjyqësor të saj, në mënyrë që qytetarëve shqiptarë t’u rikthehet plotësisht besimi te drejtësia. Fearn vuri në dukje se zgjedhjet e ardhshme lokale janë prioritet i menjëhershëm. “Të gjitha palët duhet të luajnë rolin e tyre për t’i bërë këto zgjedhje një sukses, dhe për të siguruar që ato të përmbushin standardet europiane dhe pritshmëritë e publikut shqiptar”, tha ai. Fern theksoi se bashkëpunimi duhet të vazhdojë përtej zgjedhjeve të majit, për të vazhduar reformat dhe siguruar zbatimin e plotë të 12 reformave prioritare kryesore BE-së. Në vlerësimin e tij është përgjegjësi e qeverisë dhe opozitës për të punuar së bashku për këtë, dhe për të vendosur interesat e vendit mbi politikën partiake apo interesin personal. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›