Ndërkombëtarët: Hetoni incidentin me romët në Tiranë
OSBE, SHBA dhe BE nxisin autoritetet shqiptare të hetojnë largimin me dhunë të familjeve rome dhe t'u ofrojnë ndihmë të shpërngulurve
Ambasadori Eugen Wollfarth, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Alexandër Arvizu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe Ambasadori Ettore Sequi, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, lëshuan dje një deklaratë përmes të cilës kërkuan hetim për largimin me dhunë të familjeve rome në Tiranë. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri janë informuar se prej 20 shkurtit 2011, për disa ditë, dhjetëra familje rome janë larguar me forcë nga vendqëndrimi i tyre pranë qendrës së Tiranës nga persona të paidentifikuar, të cilët u vunë zjarrin barakave ku ata jetonin dhe i përzunë prej tyre”, thuhet në deklaratë. Ne, thonë ambasadorët, vërejmë se, si pasojë e këtyre veprimeve, pati lëndime të rënda dhe një numër i madh njerëzish, duke përfshirë edhe fëmijë, u detyruan të zhvendoseshin nga vendbanimi. Diplomatët perëndimorë theksojnë faktin se Shqipëria është angazhuar të zbatojë Planin e Veprimit për Përmirësimin e Situatës së romëve dhe në Zonën e OSBE-së, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave 2009, për Shtimin e Përpjekjeve të OSBE-së, për Integrim të Qëndrueshëm të romëve dhe sintive. “Miratimi i këtij vendimi nga Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë, tregon angazhimin e këtyre vendeve për të luftuar diskriminimin dhe racizmin ndaj romëve dhe sintive, edhe nëpërmjet medias. Në opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, Komisioni Europian ka identifikuar luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve si fusha parësore, të cilave u duhet kushtuar vëmendje e veçantë nga autoritetet”, theksohet në deklaratë. Në këtë frymë, ambasadorët u bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjes shqetësuese të shkurtit, për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten më. “Ne i nxisim autoritetet të marrin hapat e duhura për të siguruar asistencën e nevojshme sociale, përfshirë strehimin, për ata njerëz që kanë mbetur të pastrehë. Ne jemi të bindur se shumica e qytetarëve janë kundër akteve të tilla të dhunës ndaj grupeve të pakicave. OSBE, SHBA dhe BE bashkohen me përfaqësuesit e shoqërisë civile në thirrjen për t'i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës ndaj familjeve dhe fëmijëve romë”, këmbëngulin ambasadorët. Reagimi erdhi pasi rreth 45 familje të komunitetin rom, që jetonte pranë stacionit të trenit në Tiranë, deklaruan se ishin dëbuar me dhunë nga vendbanimet e tyre dhe më pas barakave u ishte vënë flaka. Romët treguan se janë dhunuar e dëbuar për katër net me radhë, nga civilë të armatosur dhe se kishin bërë denoncim, por policia nuk ka ndërhyrë. “Erdhën ata djem dhe na rrahën e na dogjën barakën. Ne s’kemi pasur asnjë sherr më parë”, u shpreh një prej banorëve. Romët më pas janë shpërndarë në periferitë e Tiranës dhe në periferi të qyteteve të tjera si në Elbasan. D.M.