SHBA e OSBE: S’ka kohë për ndryshim, Kodi! Është shumë vonë
Nëse qëllimi i ndonjë personi është që zgjedhjet të mos shkojnë mirë, atëherë votuesit shqiptarë duhet të thonë se qëllimi ynë është që zgjedhjet të shkojnë mirë dhe për këtë arsye nuk ju votojmë
“Nuk ka kohë për ndryshim të Kodit zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit”. Kjo ishte deklarata e djeshme e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, i cili zhvilloi një takim në Bashkinë e Lushnjes Ndërkohë dje pasdite kreu i OSBE, Ëolfarth i pranishëm në tryezën e dy ish-presidentëve, Moisiu dhe meidani me shoqërinë civile u shpreh kundër propozimeve të kësaj tryeze për riformatim të KQZ-së. “Nuk është mirë që rregullat të ndryshojnë tani para zgjedhjeve. Në të ardhmen mund të bëhen diskutime për zgjedhjet e radhës”-tha ambsadori i OSBE.
Arvizu
Teksa debati politik në Tiranë vazhdon të mos japë asnjë shpresë për kompromis, në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve, ambasadori shkon më tutje duke thënë se “nëse qëllimi i ndonjë personi është që zgjedhjet të mos shkojnë mirë, atëherë votuesit shqiptarë duhet të thonë se qëllimi ynë është që zgjedhjet të shkojnë mirë dhe për këtë arsye nuk ju votojmë”. Pasi u interesua në veçanti për çështjet e listave paraprake zgjedhore, Arvizu pyeti kryebashkiakun e Lushnjes nëse janë hequr nga lista shtetasit që kanë ndërruar jetë, si dhe dëgjoi shpjegimet në lidhje me emigrantët dhe procedurat e votimit të tyre. Ndërkohë, për 45 minuta takimi ka vijuar në zyrën e kryetarit të Bashkisë pa praninë e mediave. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Arvizu në përgjigje të pyetjes, në lidhje me kërkesën e opozitës për riformatim të KQZ-së, nënvizoi se “ka pyetje për listat e komisionet, të gjitha këto janë të vlefshme. Vërtetë shpresoj që partitë të mos presin, deri sa të fillojnë zgjedhjet, në mënyrë që t’i adresojnë siç duhet këto çështje. Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar dhe ne po punojmë me KQZ, por kuptohet që sipërmarrja më e madhe është OSBE/ODIHIR-it”. Duke adresuar këtë shqetësim, Arvizu tha se së bashku me shefin e OSBE-së, atë të BE-së, do të takojnë Presidentin Bamir Topi lidhur me këtë çështje sapo të kthehet në kryeqytet. “Jam informuar që fushata zyrtarisht duhet të fillojë më 8 prill, mendoj se nuk ka kohë për të rishkruar apo ndryshuar Kodin Zgjedhor, është shumë vonë. Megjithatë, mendoj që ka kohë mjaftueshëm për të trajtuar disa pyetje specifike, lidhur me Kodin. Është e rëndësishme që të respektohet procesi kushtetues në Shqipëri. Presidenti i Republikës ka shpallur 8 majin si ditën e zgjedhjeve vendore. Prandaj mendoj që zgjedhjet në datën 8 maj duhet të jenë më të mirat të mundshme, që duhet të realizohen në këtë ditë”, theksoi ambasadori Arvizu. Gjatë konferencës për shtyp, kryebashkiaku Albert Sanxhaku e cilësoi ambasadorin si mik të shqiptarëve dhe lushnjarëve, ndërsa theksoi se porta e shtëpisë lushnjarë, pas kësaj vizite të tij të parë, është e hapur përherë për ambasadorin dhe stafin e tij në Shqipëri. Më herët, ambasadori amerikan Arvizu bashkëbisedoi në detaje me kryebashkiakun në lidhje me procesin zgjedhor, fushatën e pritshme elektorale në këtë qytet, listat e zgjedhësve etj. Ambasadori pyeti kryebashkiakun Sanxhaku edhe nëse do të ketë një ballafaqim mediatik në këtë qytet, midis kandidatëve dhe mori prej tij përgjigje pozitive. Më pas, Arvizu vizitoi nënprefekturën e Lushnjës, si dhe një shkollë në këtë qytet, ku bëri inaugurimin e një biblioteke. Dy ditë më parë, sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton i bëri thirrje udhëheqësve politikë në Shqipëri, si në qeveri, ashtu edhe në opozitë, që të drejtojnë nëpërmjet llogaridhënies dhe transparencës. Klinton kërkoi që ata të respektojnë dhe të forcojnë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Këtë thirrje, Klinton e dha përmes një mesazhi të shpërndarë në kuadër të 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. “Kjo është mënyra më e mirë për të demonstruar përkushtimin e tyre ndaj ndërtimit të së ardhmes së sigurt dhe të begatë, që populli shqiptar do dhe meriton. I uroj popullit të Shqipërisë më të mirat, teksa vazhdojmë të punojmë së bashku, edhe përtej njëzetë viteve të ardhshme”, shprehet Klinton.