Aleatët “përgjysmohen”, nuk vjen Gjinushi, Dule e Ndoka
Aleati historik i socialistëve në qeverisje dhe opozitë, Skënder Gjinushi, ka munguar në ceremoninë e djeshme të partisë kryesore të së majtës. Nuk dihet nëse kreu i Partisë Socialdemokratëve ndodhej apo jo në Tiranë të dielën, por as ndonjë përfaqësues i lartë i kësaj partie nuk është vënë re. Në listën e partive të koalicioni që garuan së bashku në zgjedhjet administrative të 8 Majit mungon gjithashtu edhe kreu i demokristianëve Nard Ndoka dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Sakaq, kreu i PSV91, Petro Koçi, duket se është rikthyer në “shtëpi”, teksa ka ndarë kujtime dhe biseda me miq të hershëm brenda selisë rozë. Nuk ka munguar as kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, apo ai i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, dhe Preç Zogaj. Një pozicion të natyrshëm kanë patur edhe ish-përfaqësuesit e lartë socialistë të mënjanuar nga Rama dhe që më pas u rikthyen si aleatë, pjesë e partisë së drejtuar nga Koçi apo asaj socialistë të reformuar që drejtohet nga Gjergji Koja. Kreu i grupimit G99, Ervin Mete, ka kaluar kohën në tavolinë me ish-kryeministrin Pandeli Majko dhe sekretarin për çështjet ligjore Fatmir Xhafaj. Festës së Partisë Socialiste i janë bashkuar edhe përfaqësues të partive të vogla që iu afruan bllokut të opozitës dhe krerë të sindikatave.