Ambasadori Arvizu ndan ndeshjen Real-Barcelona me Bashën e Ramën
Në këto ditë të ethshme të garës për Tiranën, tifozeria në një ndeshje futbolli, përkrah ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, është njëherazi një akt politik. Një mundësi e mirë marketingu, që në real-politikën e Tiranës është ndarë mbrëmë në mënyrë të barabartë mes Lulzim Bashës e Edi Ramës, falë sportivitetit diplomatik të ambasadorit Aleksandër Arvizu. Ky i fundit është parë fillimisht në një lokal të populluar të zonës së ish-Bllokut, përkrah kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Me veshje sportive dhe një kapele të kuqe në kokë, Arvizu ka ndjekur përkrah Bashës pjesën e parë të ndeshjes, mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, e vlefshme për gjysmëfinalet e “Champions League”. Në të vërtetë, ambasadori i SHBA-ve dhe kandidati i PD-së për Tiranën janë fotografuar teksa dukej se i kushtonin më shumë vëmendje bisedës mes tyre, sesa ndeshjes së futbollit në ekranin e madh të lokalit të mbushur nga tifozët. Dëshmitarë të këtij takimi të pazakontë, i thanë mbrëmë “MAPO”-s se ambasadori Arvizu ka qëndruar në shoqërinë e Lulzim Bashës gjatë gjithë pjesës së parë të ndeshjes së futbollit, që u mbyll 0-0. Më tej, Arvizu është ngritur nga lokali për të bërë një shëtitje në bulevard, rrugëtim që e ka çuar drejt çadrës së ngritur aty nga Partia Socialiste, ku ndodhej në shoqërinë e simpatizantëve të vet, kandidati tjetër për Tiranën, Edi Rama. “Ambasadori Aleksandër Arvizu është takuar jashtë çadrës së Partisë Socialiste me Edi Ramën, ku kanë biseduar për pak minuta. Më pas, ai ka hyrë aty për të qëndruar disa minuta të tjera me Edi Ramën, në shoqërinë e simpatizantëve të PS”, - i thanë MAPO-s, të pranishëm në këtë takim rastësor mes Edi Ramës dhe ambasadorit Arvizu. Në kohën që Rama bisedonte me Arvizunë, në ekranin përballë simpatizantëve të PS-së vazhdonte pjesa e dytë e ndeshjes mes Barcelonës dhe Realit, e mbyllur dje me rezultatin 2-0. Të dyja takimet jozyrtare nuk i kanë shpëtuar objektivit të aparateve e fotot janë shpërndarë për mediat nga shtabet elektorale të kandidatëve për Tiranën, duke u futur kështu në axhendën e ditës, si pjesë e betejës mes tyre për Bashkinë e Tiranës. Kësaj gare i ka shpëtuar megjithatë ambasadori Arvizu, i cili njësoj siç përcaktohet në Kod për stacionet televizive, u ka kushtuar të njëjtën vëmendje dy kandidatëve më të rëndësishëm të zgjedhjeve të 8 majit, Edi Ramës e Lulzim Bashës.