Disiplina i driblon të gjithë, nën hetim Laçi-Flamurtari
Në Vlorë ishin ngritur qindra tifozë në protestë. Në Korçë i kishin bërë veshët katërt. Në Laç, epo në Laç duhet të kenë qenë më të qetë.
Megjithatë, Komsioni i Disiplinës me vendimin e tij të djeshëm ka vendosur t’i driblojë të gjithë ata që prisnin me ankth vendimin për ndeshjen e shumëpërfolur, Laçi-Flamurtari, ku portieri i kuqezinjve, Shpëtim Moçka u godit me një send të fortë dhe u transportua menjëherë për në spital ku mori edhe ndihmën e parë. 5 ditë kohë dhe një hetim të detajuar, ka kërkuar disiplinori i FSHF-së përpara se të se të ndajë mendjen rreth vendimit që vlen një sezon të tërë: t’i japë fitoren Flamurtarit duke rihapur kështu garën për titull, apo të pranojë rezultatin 1-1 duke kurorëzuar kështu Skënderbeun si triumfues në këtë garë. “I mbajtur sot (dje) më datë 27 Prill 2011, në mbledhjen e Komisionit te Disiplinës së FSHF për shqyrtimin e e problemeve disiplinore të konstatuara në ndeshjet e kategorive të ndryshme të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe për shqyrtimin e kërkesave të paraqitura, komisioni, pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik si dhe i diskutoi çështjet në tërësi, në përfundim
Vendosi:
1.Në lidhje me kërkesën ankimore të KF “Flamurtari”, Komisioni i Disiplinës vendosi që nëpërmjet inspektorëve të disiplinës së FSHF të bëjë një hetim të plotë në lidhje me ndeshjen KF “Laçi” – KF “Flamurtari” dhe të raportojnë pranë Komisionit të Disiplinës së FSHF brenda 5 (pesë) ditësh bazuar në nenet 109 dhe 110 të KDS.”
Në të vërtetë Komisioni i Disipliës i ka dhënë kohë FSHF-së që të masë pulsin e ambientit sportiv, por janë të pakta gjasat që Flamurtari t’i gëzohet fitores në tavolinë. Arsyet janë të lidhura ngushtësisht me rregulloren, e cila u interpretua dhe gjatë ndërprerjes prej 45 minutash të ndeshjes mes palëve, por i deleguari i FSHF-së, që në atë takim ishte Plarent Kotherja, nuk vërejti asnjë nen ku sfida të luhej për publik, çka nënkuptonte zhvillimin gjoja në kushte normale të pjesës së mbetur të 90 minutave, por që 3 pikët do t’i shkonin në tavolinë Flamurtarit.