Ambasadori Dell ofron mish për hell

Duket se ambasadori Dell po na ofron mish për hell! Të freskët, me këtë parti të re që megjithatë nuk hahet. Apo, mish me afat të skaduar pas zgjedhjeve të ardhshme të atyre që do të eliminohen nga skena politike! Dhe do të jetë fat i madh për ta nëse vetëm eliminohen nga skena! As ai mish nuk do të hahet! Sepse do të kundërmojë shumë! Tashmë ka marrë erë!
Nga Behxhet Sh. Shala*
Edhe një, edhe një
Në një intervistë dhënë rrjetit për gazetari hulumtuese BIRN, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell ndër të tjera shfaqi brengosje për situatën e përgjithshme në Kosovë duke deklaruar se nuk ka ndonjë dallim midis partive në pozitë dhe atyre opozitare andaj sugjeroi se është krijuar një hapësirë dhe mundësi për një subjekt të ri politik i cili do të merrej me brengat e shoqërisë kosovare.
Pra, në mënyrë implicite e pranoi se këta të sotit nuk janë duke menduar shumë për ata që kanë votuar për ta! Pati reagime të menjëhershme të pozitës, opozitës, analistëve, shoqërisë civile, atyre që qesin fall dhe atyre që besojnë në fall! Të jemi realist, ky propozim i ambasadorit Dell nuk duhet të injorohet aspak!
Pastaj, Republika e Kosovës me pak më tepër se 2 milionë banorë i ka vetëm 40 parti politike dhe duhet të pranojmë se janë shumë pak aq më parë nëse i besojmë parimit tutti albanessi, tutti comandanti apo dy shqiptarë, një parti! Pra, vraponi o burra shqiptarë! Ambasadori Dell duket se formimin e subjektit të ri politik e sheh te shoqëria civile e cila gjithmonë ka katapultuar personalitete ngase nuk është dashur ta kalojnë Procesin e Verifikimit, si të punësuarit e uniformuar në FSK-ë!
Kandidati nga shoqëria civile është i njohur për lojalitet, fleksibilitet (
deri te rënia në gjunjë) dhe për çka jo tjetër! Disa menjëherë këtë e komentuan si përkrahje për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe Albin Kurtin. Mund të jetë edhe kështu! Mendoj megjithatë se ambasadori Dell, me një të goditur ka dashur ti arrijë disa qëllime! Së pari, u ka dërguar një kërcënim të butë partive apo koalicionit që është në pushtet. Së dyti e ka inkurajuar opozitën se mund të bëhet pjesë e pushtetit por jo para zgjedhjeve parlamentare të parapara sipas projekteve të tyre. Ua ka mbytur definitivisht shpresën për zgjedhje të parakohshme dhe shkatërrim të koalicionit! Gjithashtu i ka dhënë imunitet koalicionit qeverisës andaj Ramushi u nda si u nda me Fatmir Sejdiun! Në rrethana tjera, letra do të shkruante Fatmiri dhe jo Ramushi! Vakti e ha kashtën, thotë populli! Sot, ata që hanë kashtë quhen vegjetarianë për dallim prej kohëve të kaluara që janë quajtur ndryshe!
Nëse keni menduar se kjo ofertë i është drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje! dhe Albin Kurtit, mendoj se nuk gaboni shumë! Madje aspak! Nëse Lëvizja Vetëvendosje! shndërrohet në parti politike dhe merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si e vetme, ekziston rreziku që të digjet me një procedurë të shpejtuar. Pse e them këtë?! Askush nga ndërkombëtarët nuk është i interesuar ta përkrah fuqizimin e Lëvizjes Vetëvendosje! aq më parë që Lëvizja Vetëvendosje! është opozitë e vetme e projekteve politike të ndërkombëtarëve, më parë e UNMIK-ut tash edhe e EULESH-it.
Pastaj, Lëvizja Vetëvendosje! ka program kombëtar në kohën kur edhe ëndrrat në Kosovë detyrimisht duhen të shihen si multietnike, ndryshe cilësohesh si ekstremist dhe nacionalist! Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë një fushatë për bashkim kombëtar në kohën kur me aktin më të lartë juridik të Ahtisarit e kontrabanduar si Kushtetuta e Kosovës shprehimisht ndalohet bashkimi me ndonjë shtet tjetër përjashtuar Serbinë!
Merreni me mend pastaj si do të dukeshin simbolet, flamuri i Tinës, himni i nuk e di i kujt dhe simbolet e tjera! Përfundimisht këto nuk do të pranoheshin, as nga ndërkombëtarët, si vendimmarrës të vërtetë e besa as nga vendorët si implementues të vendimeve që i marrin të tjerët! Këtë e them në mënyrë hipotetike nëse Lëvizja Vetëvendosje! do ta fitonte shumicën e vendeve në Parlament! Kjo assesi nuk do të lejohej! Ndërkombëtarëve por edhe vendorëve u levërdisë që Lëvizja Vetëvendosje!të jetë në Parlament ngase atëherë do të detyroheshin të luanin një lojë tjetër! Me kusht që të fitojnë vende sa gjysma e LDD-së sot! Nga kjo perspektivë përkrahet Lëvizja Vetëvendosje! Nga perspektiva e djegies së saj apo kontrollit mbi te! Andaj, mendoj se Lëvizja Vetëvendosje!, nëse vendosë të bëhet pjesë e garës politike, duhet të hyjë në koalicion parazgjedhor me ndonjë parti apo disa sosh! Ndryshe, e ka parasysh fatin e ORA-së, digjitale dhe me kurdisje! Sidomos asaj me kurdisje kur kemi parasysh se në Kosovë çdo gjë kurdiset.
Kandidatët nga Kosova, votuesit nga Kina
Kur ambasadori Dell ka thënë se ka hapësirë për një subjekt të ri politik gjithsesi ka menduar te shoqëria civile. Madje, jam i sigurt se ka menduar edhe për emra konkretë siç janë: Shpend Ahmeti, Ilir Deda, Jeta Xharra dhe disa të tjerë. Në fakt, disa llaskucë të medieve elektronike dhe të shkruara që hiqen si eminenca gri e shoqërisë civile janë shndërruar në eunukë virtualë! Ata vetëm mund ta luajnë rolin e zagarëve për gjah ( denoncuesve) dhe aty përfundon misioni i tyre! Janë të formatizuar si të tillë dhe nuk mund të ndryshojnë!
Këtë rol e luajnë edhe sot, te shumë subjekte politike! Andaj këta janë jashtë orbitës së interesimit të ambasadorit Dell! Edhe emrat që po përfolën si ai i Shpend Ahmetit, Ilir Dedës, Jeta Xharrës apo të tjerëve nuk garantojnë kurrfarë suksesi! Madje, nëse kjo është e vërtetë më vjen shumë keq për Shpend Ahmetin për të cilin jam shumë i sigurt se nuk i mungon dinjiteti dhe ndershmëria e as dija!
Mirëpo atij definitivisht i mungon karizma, nuk mund të jetë apo bëhet lider! Jeta Xharra mund të fitojë vota në Skenderaj ndërsa nëse insistoni tju tregoj se kush do të votojë për Ilir Dedën, më keni futur në telashe të mëdha sepse vërtetë nuk e di ku do të gjinden ato vota në Kosovë!
Në të vërtetë mendoj se shpëtova! Nëse megjithatë, ambasadori Dell insiston për këta kandidatë atëherë mund ta provojë. Suksesin e ka të garantuar vetëm nëse këtyre kandidatëve ua siguron edhe votuesit, p.sh. 3 milionë kinezë! Politika kineze nuk humb asgjë ndërkaq subjekti politikë i ri definitivisht do ti fitonte zgjedhjet! Dhe nuk do të jetë i ngjashëm me partitë aktuale, as të pozitës e as të opozitës!
Ata që e kanë mbamendjen e freskët nuk mund të mos u kujtohet fati i partisë së shoqërisë civile ORA! Ajo u shkri në LDK-ë! Pra, ky eksperiment dështoi dhe po bëhen përpjekje të riciklohet dështimi! Mirëpo, kur ta kemi parasysh faktin se e tërë Kosova është një eksperiment i madh dhe i pandershëm atëherë nuk duhet të kemi frikë nga eksperimentet e vogla! Në fund të fundit, ekipi që luan mirë nuk duhet të zëvendësohet! Sinqerisht, nuk e kam të qartë çfarë vërejtjesh konkrete ka ambasadori Dell ndaj koalicionit qeverisës dhe opozitës?!
A mos po e kundërshton ambasadorin? A mos po luan jashtë rregullave të përcaktuara të lojës? Në asnjë mënyrë! Pse atëherë të kërkohen të tjerë të cilët zgjedhjet mund ti fitojnë vetëm me votat kineze?! Këta i kanë së paku votat vendore, qoftë edhe të vjedhura ama janë vendore! Duket se ambasadori Dell po na ofron mish për hell! Të freskët, me këtë parti të re që megjithatë nuk hahet. Apo, mish me afat të skaduar pas zgjedhjeve të ardhshme të atyre që do të eliminohen nga skena politike! Dhe do të jetë fat i madh për ta nëse vetëm eliminohen nga skena! As ai mish nuk do të hahet! Sepse do të kundërmojë shumë! Tashmë ka marrë erë!
përpjekje për rehabilitimin e krimit: