Shala e lavdëruar

Organizmat e vetëm ndërkombëtarë ku u anëtarësua Kosova e pavarur, FMN-ja dhe BB-ja, shprehen se e kuptojnë brengën e Kosovës që ska para, por i thonë asaj që prandaj duhet të vazhdojë ti shesë pasuritë. Në vitin 2010 do të shiten gjigantët ekonomikë dhe mandej ato para do të përfundojnë tek ata që eksportojnë te ne, meqë ne jemi vetëm konsumatorë. Kjo i bie njësoj sikur ta shesësh shtëpinë lirë dhe, pastaj, me ato para ta paguash qiranë e shtrenjtë
Nga Albin Kurti
Pas mbarimit të luftës statusi i Kosovës u
shpall i pacaktuar dhe u ngri. Edhe pasuria e Kosovës u shpall disi e
pacaktuar, por ajo nuk u ngri. Përkundrazi, ajo u shkri përmes privatizimit.
Për një dekadë na thoshin se problemi i zgjidhjes së problemeve është që e kemi
statusin e pazgjidhur, por doli se mospërcaktimi i statusit nuk paraqiste
kurrfarë pengesash për ta shitur Kosovën. Avazi i njëjtë vazhdoi edhe pasi që u
shpall pavarësia. Kjo tregon se ka një proces në këtë mes, që nuk varet nga
statusi i Kosovës, një proces më të thellë që është i pavarur nga varësia a
pavarësia e Kosovës dhe gjithçka tjetër ndërmjet këtyre dyjave. Është ky
privatizimi procesi që zhduk të përbashkëtën e qytetarëve dhe e lufton
shoqërinë.
Tash shpronësimi i shoqërisë dhe publikut po gatitet të kulmojë. Privatizimi i
KEK-ut, PTK-së, ANP-së, minierës së Sibovcit dhe Trepçës në vitet 2010 dhe
2011, është kuptimi i zëvendësimit të zgjedhjeve parlamentare me ato lokale në
vitin 2009. PTK-ja është pasuri publike, pasuri e publikut kosovar që numëron
afër dy milionë e gjysmë banorë, dhe pas privatizimit ajo do të jetë pasuri në
duart e vetëm disa vetave. Privatizimi në jetën politike dhe institucionale në
Kosovë e ka pasuar privatizimin në ekonomi dhe jo anasjelltas. E kanë
privatizuar pasurinë e përbashkët dhe mjetet kolektive të prodhimit, janë
dakorduar që ta privatizojnë tokën, nëntokën dhe të ardhmen (përmes borxheve),
për ti privatizuar mandej partitë, institucionet dhe historinë. Janë hedhur në
privatizim hapësira dhe koha jonë. Çdo gjë është bërë private, përveç jetës që
është maksimalisht e kontrolluar nga jashtë. Privatizimi, dhe jo ndonjë term
tjetër, ishte fjala kryesore e dekadës së pasluftës. Tani duan që privatizimi
të mbetet fjala kryesore edhe e dekadës së pavarësisë. Kosova e këtillë nuk
shkon drejt BE-së së shekullit XXI, por drejt Amerikës Latine të shekullit XX.
E gjithë elita politike kosovare është fokusuar vetëm në transicionin nga
okupimi serb, te protektorati ndërkombëtar që u quajt çlirim. Porse,
transicioni te privatizimi dhe liberalizimi, kalimi te ekonomia e tregut të
lirë nuk u problematizua fare. U tha se duhet të jemi në shërbim të këtyre meqë
edhe formulat matematikore për tregun e lirë tregojnë se kjo do të na shpaguhet
më vonë. Doktrina e tregut të lirë u përvetësua në mënyrë plotësisht jokritike
thuajse bëhet fjalë për një të vërtetë absolute të tipit që predikojnë
religjionet. Fundamentalistët e tregut të lirë me diploma ekonomie u bënë
ministra dhe zyrtarë në postet më të rëndësishme të sistemit kur ishin në pyetje
ekonomia apo financat. Kurrë nuk u lejua pyetja, se lëre më debati, pse duhet
të privatizojmë. Pse duhet shitur ndërmarrjet publike dhe ato shoqërore? Pse
edhe atëherë kur ato janë të suksesshme e fitimprurëse? Përgjithësisht pse edhe
atëherë kur ato paraqesin leva të forta kushtëzimi, me të cilat mund të na
kontrollojnë të tjerët? Se kompanitë publike, të cilat duan ti privatizojnë,
do të shndërrohen në monopole private që ofrojnë shërbime publike. Kështu jo
vetëm që shteti do të varet nga to, por edhe secili qytetar.
Privatizimi i shndërroi fabrikat në qendra tregtare kurse Kosovën në një vend
që konsumon por sprodhon. Institucionet financiare ndërkombëtare nuk investuan
dhe nuk e ndihmuan prodhimin në Kosovë i cili do të rezultonte me akumulimin vendor
të kapitalit. Ato mbështetën vetëm instrumentet që i nxjerrin paratë nga Kosova
si puna e bankave të huaja, infrastrukturën dhe sektorët strategjikë sikurse
energjetika, dhe ndërmarrjet ku përfitimi është i madh dhe kthimi i investimeve
i shpejtë si (tele)komunikimet. (Pu)shteti me policinë, gjykatat dhe analistët
e vet, funksionoi si gardian i këtij rendi në fuqi.
Borxhi përgjithësisht e rriti varësinë. Kur problemi nuk konsiderohet ekonomik
dhe strajtohet nga lart, atëherë, në fakt, jemi duke pritur që problematizimi
të jetë social dhe nga poshtë. Ndoshta poshtë edhe kuptohet më mirë ajo që do
të duhej të ndërmerrej lart: Arsimtarët dhe mjekët po ankohen duke thënë që
para 25 vjetëve i kanë pasur pagat shumë më të larta, mirëpo atëherë punonte Trepça,
më pat thënë një ish minator në Mitrovicë.
Organizmat e vetëm ndërkombëtarë ku u anëtarësua Kosova e pavarur, FMN-ja dhe
BB-ja, shprehen se e kuptojnë brengën e Kosovës që ska para, por i thonë asaj
që prandaj duhet të vazhdojë ti shesë pasuritë. Në vitin 2010 do të shiten
gjigantët ekonomikë dhe mandej ato para do të përfundojnë tek ata që
eksportojnë te ne, meqë ne jemi vetëm konsumatorë. Kjo i bie njësoj sikur ta
shesësh shtëpinë lirë dhe, pastaj, me ato para ta paguash qiranë e shtrenjtë.
Agjenti kryesor i shpronësimit të shoqërisë kosovare, si para pavarësisë po
ashtu edhe pas saj, është ministri aktual i ekonomisë dhe financave, Ahmet
Shala. Ai nuk ishte ministër në hije i PDK-së kur kjo ishte në opozitë. Faktorë
të caktuar ndërkombëtarë e emëruan ministër, meqë dëshironin të siguroheshin që
ministri i ardhshëm i ekonomisë dhe financave, pas kalimit të AKM-së në AKP,
nuk do ta problematizonte trashëgiminë e AKM-së, nuk do ta kthente mbrapsht
asnjë nga vendimet e shumta të dëmshme që u morën për më se një dekadë. Dhe,
kush do të mund ta bënte këtë punë më mirë se vetë Ahmet Shala, se Ahmeti që
shërben si shalë për ta lehtësuar kalërimin e Kosovës, trajtimin e saj si
kafshë që duhet shfrytëzuar nga privatistët e fuqishëm, se Ahmeti të cilin lavdërimet
e shumta nga po ata privatistë, e bëjnë ashtu siç tregon kuptimi i emrit të tij
pas përkthimit të fjalës Ahmäd nga arabishtja: shalë shumë e lavdëruar! Ahmet
Shala, që ishte zyrtari më i lartë vendor në AKM, sigurisht se nuk do të thotë
asnjëherë se privatizimi ishte gabim dhe, mu ai, mund të vazhdojë me fazën
tjetër të privatizimit derisa të arrijmë p.sh. te privatizimi i ujësjellësit
dhe i liqeneve. Sikurse që privatizimi nuk varej nga (pa)varësia, edhe agjentët
e privatizimit duket që nuk varen nga zgjedhjet.
Ministër i ardhshëm i ekonomisë dhe financave në Kosovë mund të bëhet vetëm
ndonjë shalë tjetër. Ka aq shumë forca dhe interesa që në këtë kontekst politik
nuk e lejojnë ardhjen e ndofarë ministri tjetër. Prandaj, duhet konteksti i ri,
sepse nevojitet pikërisht një ministër i ri i ekonomisë dhe financave që do ta
kontestonte në parim dhe përmbajtje privatizimin e deritanishëm neoliberal. Me
këso privatizimi ska kuptim të flasësh as për korrupsionin. Privatizimi i
këtillë është vetë kushti dhe mundësia e korrupsionit enorm.