Ambasadori Ettore Sequri brenda javës, sërish në zyrën e Edi Ramës

Objekt diskutimi edhe tri ligjet e pa votuara nga deputetët socialistë
Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, ripërsërit apelin ndaj opozitës shqiptare për dhënien e konsensusit për miratimin e tri ligjeve, si kushtet e fundit për marrjen e statusit të vendit kandidat, në të njëjtën ditë, brenda javës, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Seqiu, zhvillon një vizitë të dytë në selinë e PS-së.
Burime zyrtare bënë të ditur dje, se kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, priti në një takim Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Seqiu. Takimi, i cili zgjati jo më shumë se 20 minuta, u zhvillua në kuadër të kontakteve periodike të ambasadorit Sequi me drejtues të forcave politike në vend. Mësohet se objekt diskutimi kanë qenë edhe tri ligjet, të cilat ende nuk po votohen nga ana e deputetëve socialistë.
Në përfundim të takimit, i pyetur nga mediat, Ambasadori Sequi deklaroi se gjatë bashkëbisedimit me Ramën kishin diskutuar mbi situatën politike në vend, për zgjedhjet e pritshme si dhe për stabilitetin rajonal.
Një javë më parë, trojka e ambasadorëve Sequi-Arvizu-Wollfarth u prit nga Edi Rama në selinë e PS-së.