Cili e drejton dhunën ndaj grave në PS?
Po thellojmë ballinën e djeshme të “55”-s, mbi fjalën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të shfaqur “përvojën e tij të pasur”, me synimin për të dhënë përvoja të reja, që ta çojë lá e më lá dhunën ndaj grave, në shekullin e 21-të.
Më pëlqen ky shkrim se ka shmangur çdo retorikë dhe dokumenton me data dhe me të dhëna konkrete qëndrimin e tij të padenjë, në vetë të parë, ndaj grave dhe do të bënte mirë që të heshtte, në vend që të na jepte mend. Do të doja që ky shkrim të lexohet sa më shumë nga njerëzit objektivë, që të shihet se nuk ka asnjë sajesë dhe, për më tepër, faktet paraqiten me emër të viktimave femra . Kjo e përligj shkrimin, sepse – siç u tha, - do të ishte më mirë që mëkatari numër një të mos na bëhet, njëherësh, moralizator për naivët, paçka sesi e ka bërë të zezën të bardhë dhe anasjellas. Por do të më falet që të shtoj edhe disa vëzhgime të miat, që të plotësohet sa më shumë dhe sa më drejt, i gjithë kuadri i një Tartufi, në kërkim të Orgonëve (viktima të hipokrizisë së tij). Në këtë drejtim, më duket e spikatur shprehja se “të vjen të mbyllësh veshët me duar dhe, në anën tjetër, të hapësh gojën për të vjellë”!. Sa për fjalën “Kompetenti”, kuptohet se ajo merr konotacione të shumta, gjithmonë në portretizim të Ramës.
Së pari, përmendet fatkeqja e talentuar Matilda Makoçi dhe data e martesës: korrik, 1986. Nuk zgjati më shumë se 4 vjet që të pasohej nga divorci: 1991. Gjyq skandaloz, me mohimin e ushqimit nga i ati të fëmijës, Gregor Rama. Këtu nuk shkohet më tej dhe as nuk përmendet marrëzia e incestit, me protagonist të atin, Kristaqin. Nëse për formën skandaloze që mori ky gjyq mbase do të ruhej e ashtuquajtura “privacy”, kjo tretet si kripa në ujë kur i padituri në gjyq ia heq vetë petët byrekut më vonë , duke e përmendur këtë episod komprometues, në “Kurbanin” e tij. Atëherë bie privatësia dhe gazeta “RD” e datës 6.12.2009 është në të drejtën e saj që ta shpalosë të vërtetën jo siç dëshiron E. Rama, duke shfajësuar autorin e dikurshëm të ngjarjeve gjyqësore të jashtëzakonshme, me qëllim që t’ia ngarkojë antagonistit të tij, z. Sali Berisha! Edi Rama kërkon të mbulojë edhe ekstravagancat e tij, me atë shpërthimin në bulevard të thirrjeve histerike “O doktor!”, me 13 “o”, që të bëhet ekzibicionist! Meqë përmendëm gazetën që e sqaroi tërësisht të vërtetën, kemi në këtë numër të “RD”-së edhe artikullin e bujshëm ne titullin “Si ndërhyri D.Agolli që Ramës të mos i jepnin armë në zbor: “Ka probleme mendore”. Më thjesht, - themi ne, - për këtë shpërdorues të së vërtetës, E. Ramës, i shtrohet pyetja: A ka qenë me kartelë për çrregullim mendor në psikiatri? Kjo do të ishte një akuzë e rëndë, po të mos përmendej si dëshmitar një person i një shkrimtari të pazakontë për kah niveli në krye të artit të të shkuarit, pavarësisht nga impenjimi politik i tij, me dritë-hijet e veta. Por është një fakt se nuk pati një përgënjeshtrim nga shkrimtari i njohur. Sidoqoftë janë mjekë të psikiatrisë që e dinë mirë çështjen. Dhe hë për hë s’dalin dot të gjitha të vërtetat. Dhe as që mund të përmendet me emër ndonjëri prej mjekëve se “përse nuk e përmend të vërtetën”! Por koha është ajo që i zbulon të gjitha.
Viktima e dytë femërore e njeriut të padenjë që të ngrejë zërin për të drejtat e femrave, është D. Fico. Edhe kjo martesë përfundoi në divorc pas një periudhë 6-vjeçare, sa në Tiranë, në Paris apo në Gjermani. Së treti: Në maj të vitit 1998 e kishte radhën e bashkëjetesës me Ramën Karolina Hornstein, antropologe gjermane. E pritmja, edhe në këtë rast, u mbyll në gushtin e vitit 1999. Pastaj jemi në rastin e 4-t, në vjeshtën e vitit 1999 me një prezantuese televizive, “në një zënkë të fortë në restorantin ‘Piaca’”. „Partnerja e Ramës i tromaksi dy ambasadorë kur e panë partneren e Ramës të përgjakur me shami të gjakosur, teksa përpiqej të mbulonte vragën e përgjakshme“. Artikulli i vënies së pikave mbi „i“, përfundon dështimin e marrëdhënies së katërt me „lajmin që u bë publik në prag të fushatës elektorale të vitit 2007”. Rasti i pestë është ai i Lindita Xhillarit, pas një „klandestiniteti në shumë vite“. Përfundimi, në një frazë domethënëse: “Heshtja në shumë raste apo në çështje publike është miratuese dhe kurrë mohuese”.
Për Ramën do të shtonim, ai hesht – në fakt – për të vërteta që e molepsin. Por bën edhe atë që s’duhet ta bëjë. Përmend si pa të keq edhe çështje si këto, duke u orvatur që ta nxjerrë vetveten si të larë dhe të virtytshëm tek s’bëhet më! Madje, këto bredhje nëpër botë (Francë, Gjermani… me Delinën) në një kohë që nuk i kishte mbushur xhepat fare përplot, sa u pa më vonë, sidoqoftë nuk e nxjerrin Ramën aq fukara, sa ç’doli në aferën që s’është zbardhur ende tërësisht, për çështjen Barjaba, me pallatin pesëkatësh, që doli në fotot e ndryshme me një sipërfaqe prej 900 m², ndërsa ai furriku me muret ndarës me libra, nuk na qenka veçse për të mallëngjyer naivët!
Ajo çka do t’i shtoja këtij artikulli, të shkruar me një ftohtësi argumentuese jashtë çdo pasioni, është ajo fjala publike e njërës prej nënave të “Kompetentit” që në një intervistë, duke treguar hallet e së bijës me këtë dhëndër me përvojë të pasur ndaj grave, se vota e saj ishte për Edi Ramën! E çuditshme. Vetëm një psikolog si Mazoku mund ta deshifronte! A është e natyrshme që një nënë përvajtohet për të bijën dhe, nga ana tjetër, pa ia bërë pyetjen intervistuesja, shprehet se do ta votojë shkaktarin e dhimbjeve të bijës së saj? Ose kemi të bëjmë me një shpërblim të majmë, në dhënien e një apartamenti, apo diçka si “u bë ç’u bë, le të zbusim sadopak dhembjen tani, u pa puna! (pavarësisht nga kopracia fillestare ndaj të birit) apo kemi të bëjmë me një rast të thekur mazokizmi. Rasti i parë është më i natyrshëm. Pra, më i pranueshëm, sido që kërkon një kompromis përmes një korrupsioni. Dhe upupuu, Rama është i pakorruptueshëm, pavarësisht se fukarallëkut të tij proverbial po i dalin puplat në rrjedhë të kohës . Ose kemi të bëjmë me një dukuri të pastër mazokizmi.
Se ç’është mazokizmi, do të mundohem ta shpreh në mënyrë të tërthortë, me rastin e Polina Molotovës, bashkëshortes së Molotovit, të njohur prej gjithkujt. Ajo ishte një grua nga më elegantet e oborrit perandorak të Stalinit. I shoqi i saj, Molotovi, e donte marrëzisht. Ajo ishte, madjé, edhe në poste të larta shtetërore: zëvendësministre e industrisë së parfumerisë e të prodhimeve të kësaj natyre. Por ja që, në një takim me Golda Mejerin e Izraelit, Polina ia prishi humori Stalinit, ndonëse takimi qé fare i shkurtër, në stacion të trenit. Për një gjë të parëndësishme, domethënë krejt pa faj, Polina u internua në një vend të humbur të Azisë sovjetike. Ajo e dinte ç’hoqi. Letërkëmbimi i fshehtë bashkëshortor, me fraza të bukura dashurie, është nga letërkëmbimet sekrete të një dashurie të rrallë. Të kujtonte Romeon me Zhulietën. Kur Stalini pësoi atë që pësoi më 5 mars të vitit 1953, këto trille dënimesh të Tiranit gjeorgjian, doemos që u pafajësuan. Polinës së shkretë i erdhi lajmi i vdekjes së Stalinit dhe të përgatiste valixhet se po lirohej nga internimi. Por ö’ndodhi? Asaj…. i ra të fikët!
I adhuruari Naim Frashëri, megjithatë, ra në një shprehje mazokizmi me vargun „Baltë e pluhur do të bëhem / Të më shkelë këmba e saj!“. Adhuruesit e tij, si një nga figurat më të larta të artit shqiptar, mundohen ta shfajësojnë se në art ka edhe metafora e hiperbola që përligjin dashurinë e pakufishme. Por kritikë të tjerë thonë se ka shkuar tepër larg…