Ambasadori Hovenier: Beogradi dhe Prishtina të zbatojnë të gjitha marrëveshjet, përfshirë ZSO-në

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar këtë të enjte (23 shkurt) se “Beogradi dhe Prishtina duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut, i cili përfshin progres drejt themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe“, citon Tanjug.
Hovenier theksoi se SHBA-të mbështesin dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe propozimin për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa shtoi se Uashingtoni është i “inkurajuar” nga fakti që edhe Beogradi dhe Prishtina e kanë pranuar atë propozim në parim.
Më tej, Ambasadori i SHBA në Prishtinë, pret që Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti në takimin që do të zhvillojnë më 27 shkurt në Bruksel, të ecin përpara me procesin e dialogut dhe të pranojnë propozimin e BE-së.
Një ditë më parë, presidenti serb shprehu gatishmërinë për të shkuar në Bruksel për të diskutuar lidhur me ZSO-në, por nuk do të ketë bisedime me Kryeministrin Kurti. Ndërsa ky i fundit, nga ana tjetër, ka deklaruar se deri në fund të vitit mund të arrihej një marrëveshje me Serbinë, pas dakordësimit në parim për pranimin e planit franko-gjerman.
/rtsh.al/