Ambasadori Kirov në Borje të Kukësit, mbështetje për përmirësimin e infrastrukturës së shkollës

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Me ndihmën e qeverisë së Republikës së Bullgarisë u rinovua oborri i shkollës 9-vjeçare “Xhafer Ollomani” në fshatin Borje të Kukësit. Projekti u realizua nga shoqata “Bullgarët e Shqipërisë” në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Tiranë.
Në inaugurimin e oborrit të rinovuar morën pjesë ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Ivaylo Kirov, shefi i Seksionit të Diplomacisë Publike Asen Pachev, nënkryetari i bashkisë së Kukësit Agron Nuredinaj dhe kryetari i shoqatës “Bullgarët e Shqipërisë”, Ahmet Bala.
Projekti i realizuar është pjesë e përpjekjeve të shtetit bullgar për përmirësimin e infrastrukturës në zonat ku jetojnë pakicat kombëtare bullgare.
Një theks i veçantë i është kushtuar krijimit të kushteve më të mira për arsimimin dhe zhvillimin e brezave të rinj.
Gjatë ceremonisë të gjithë fëmijët e shkollës morën dhurata në kuadër të projektit të përvitshëm “Festimi i Vitit të Ri në mënyrë bullgare”. U shpërndanë gjithsej 680 dhurata për fëmijët nga fshatrat e zonës së Gorës – Zapod, Orgjost, Cërnalevë, Oreshkë, Shishtavec dhe Borje.
Nisma u mbështet nga kompania bullgare për prodhimin e ëmbëlsirave “Ditë e Natë”, e cila çdo vit siguron ëmbëlsirat e përfshira në paketat e dhuratave.
Inaugurohet oborri i shkollës në fshatin Borje 1 nga 9/a.f/r.e/