Ambasadori Uidhers: Të zbatohet Kodi Zgjedhor
TIRANË - Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, ka vlerësuar dje se është me rëndësi jetike, që çdo fazë e procesit zgjedhor të jetë në përputhje me Kodin Zgjedhor, përfshi këtu edhe çështjen e rinumërimit të votave. "Ashtu siç e kam theksuar më parë, është e domosdoshme, që të gjitha aspektet e procesit të jenë transparente, që procesi të vazhdojë në mënyrë profesionale, të mos jetë i politizuar dhe që të jetë gjithmonë nën sundimin e ligjit",- tha dje Uidhers. Reagimi i ambasadorit amerikan për zbatimin e Kodit Zgjedhor, vjen një ditë pasi KQZ-ja refuzoi të zbatojë një klauzolë të ligjit për rinumërimin e votave në Qarkun e Tiranës, po aq edhe të Beratit. Dy ditë më parë, me 4 vota pro dhe 3 kundër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi pretendimet e tre subjekteve zgjedhore, PS-së, LZHK-së dhe PBDNJ-së, për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Qarkun e Tiranë. Prej kohësh, për qarqet më problematike, ku varen edhe mandate deputetësh, KQZ-ja ka rrëzuar me forcën e kartonëve të anëtarëve të djathtë, kërkesat ankimore të forcave politike, kryesisht të opozitës, që kanë paraqitur objeksionet e tyre lidhur me rezultatin e reflektuar në tabelat përmbledhëse, konkretisht për zonën zgjedhore të Qarkut të Tiranës dhe të Beratit. Por, ajo që është më e rëndë për këtë KQZ, është pikërisht mosmarrja parasysh e kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së, Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj, të cilëve, neni 136 dhe 138 i Kodit Zgjedhor, u njeh të drejtën e pakontestueshme për të kërkuar numërimin e votave në ato qendra, për të cilat ka dhe një kërkesë duke përcaktuar se, "në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara". Megjithatë, kjo kërkesë e dy anëtarëve të KQZ-së, e bazuar krejtësisht në Kodin Zgjedhor nuk, është marrë parasysh nga anëtarët e djathtë në komision, të cilët as nuk e kanë përfshirë në votim një kërkesë të tillë, duke shkelur hapur ligjin. Pikërisht ndaj një situate të tillë, që po mbyll në mënyrë ta paargumentuar mjaft ankesa të partive të opozitës për qarqe problematike si Tirana, Berati apo Shkodra, ka reaguar dje edhe ambasadori Uidhers, mesazhi i të cilit ka qenë krejt i qartë: "Të zbatohet Kodi Zgjedhor".