Tokat e vajzës së Berishës në bregdet
GJIRI I LALËZIT/ DURRËS- Teksa udhëton në autostradën Tiranë- Durrës, pranë fshatit Maminas, një xhep rruge të bën të kthehesh drejt fshatit Maminas.
Në perëndim të horizontit, rruga nis gjarpëron drejt komunave Manëz dhe Ishëm, në të cilat bëjnë pjesë disa fshatra.
Pjesa më e madhe e tyre kanë dalje në det, një sipërfaqe totale prej afërsisht shtatë kilometrash që shtrihet nga Kepi i Rodonit e deri në afërsi të Bishtit të Pallës.
Pikërisht në këtë zonë, dy ditë më parë, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës, miratoi studimin për zonën turistike të Gjirit Lalëzit, me qëllim ngritjen e një kompleksi në këtë zonë.
Deri para pak vitesh, në këtë zonë, thuajse askush nuk shkelte për të kaluar një orë të vetme në plazhin e zonës, e jo më të ndërtonte në këtë hapësirë që mund të
konsiderohet ndër të vetmet që ka mbetur e paprekur për shkak të mungesës së rrugës dhe kushteve të tjera.
Banorët tregojnë se deri para më tepër se një viti e gjysmë numri i makinave që kalonin aty pari ishte shumë i vogël.
"Rruga ishte një mundim i vërtetë për ne. As kur kishte zgjedhje të paktën nuk kujtohej kush të hidhte një lopatë asfalt apo çakëll në rrugë",- thonë banorët. Por pak vite më parë, fshatarëve të zonës iu ra "bingo". Një firmë ndërtimi ngriti një fshat turistik në këtë zonë, ndërsa në bllokun e vilave dy u blenë nga vajza e kryeministrit, Argita Malltezi (Berisha).
Pikërisht vitin e kaluar, kur vajza e Kryeministrit kishte vetëm pak kohë që shijonte vilën e saj, rruga që lidh plazhin e Gjirit të Lalëzit me autostradën Tiranë-Durrës, pranë Maminasit, nisi të shtrohej.
Tashmë distanca prej 22 kilometrash e këtij segmenti ka parametrat e një rrugë nacionale, te shtruar dhe pajisur me sinjalistikën e duhur.
Banorët thonë se kërkesa dhe oferta për shit- blerjen e tokës, nuk i kapte të 30- 40 mijë lekët e vjetra. Vitin e kaluar shifra sipas banorëve shkoi në 50 mijë lekë, sapo u mor vesh se aty kishte një plan për zhvillimin e një zone turistike. Sot vlera e saj kap shifrën e rreth 80- 90 eurove për metër katrorë.
"Një pjesë të mirë të tokës e ka blerë vajza e kryeministrit kur ishte me çmime të ulëta. Në disa raste nuk e ka blerë vetë por me njerëz të tjerë por në fund të fundit ajo është pronarja e saj",- thonë banorët nën zë. Teksa i pyet për projektin, të gjithë përgjigjen: Vjen nga lart...
Sapo i afrohesh Gjirit të Lalëzit një tabelë e Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve, të lajmëron se zona është shpallur si e mbrojtur, çka nënkupton ndalimin e ndërtimeve, prerjes së pyjeve.
E në fakt pylli është shumë larg që aty, vetëm një brez në breg të detit, por tashmë nuk e ka shumë të gjatë. Në brezin më të ri të pishave nën kodrën e Kepit të Rodonit, të mbira natyralist, sipas banorëve, ka ngritur krye një rrethim tjetër me rrjetë jeshile të lartë.
Kamionët e rëndë e përshkojnë rrugën herë pas here, në një hark kohor shumë larg nga njëri- tjetri, shkarkojnë çakëll, për të mbushur një hapësirë të stërmadhe. Dhe kjo do të sheshohet pasi të jetë hequr rëra e plazhit.
Brenda rrethimit të madh qindra kuadrate e shirita kanë rrethuar shumë nga pishat që presin sëpatën. Kjo është një sipërfaqe prej afërsisht 40 hektarësh, që do të përfundojë pjesërisht në sëpatën e ndërtuesit të fshatit turistik me godina gjashtë katërshe, i cili do të hedhë shtat shumë shpejt.
Një burrë me flokë të zinj, pak kaçurrelë qëndron i ulur pranë lokalit të tij ndanë asfaltit që i shndrin nga vijëzimi i bardhë. Tregon se nuk ka pasur shumë tokë por ka shitur një dynymë, apo dy më tepër nuk ka dashur të shesë.
Ende pa u ndërtuar rruga, ende pa marrë frymë projekti i fshatit turistik, banorëve dukej sikur iu zihej fryma nga toka e tyre. Ndërsa tregon me gisht traun që rrethon zonën ku do të ndërtohet, thotë se aty ne shkonin gjithmonë për plazh por sot duhet të marrin leje nëse duan të hyjnë brenda.
Rrëfimi i një prej pronarëve të zonës për rritjen e çmimit të tokës menjëherë pasi hyri në lojë e bija e kryeministrit
Banorët: Na thanë të mos i kërkojmë pronat
Gentian Bushi, është pronari i një lokali të vogël buzë pishave në Gjirin e Lalëzit. Ai është edhe një prej shumë trashëgimtarëve të familjes së tij, që sot numëron më tepër se rreth 250 shtëpi në këtë zonë.
Familja e tij ka më tepër se disa shekuj që është vendosur në këtë zonë, së bashku me familjet Kalaja, Preza, Caca, Mesiti etj. Duke mos mundur të marrë pronat që i takojnë familjes së tij, ai është angazhuar në një aktivitet privat duke hapur një lokal të vogël buzë pishave pranë detit. Problemi i vetëm i tij është se lokali ndodhet fare pak metra larg kompleksit të madh turistik që do të ndërtohet së shpejti.
Dy herë vitin e kaluar, në fillim dhe në fund të sezonit, i ka kanë sheshuar lokalin me fadroma, ndërsa një herë ia kanë sheshuar. Edhe dy vjet më parë ia kanë prishur lokalin. Ai ka pranuar të rrëfejë për "Shekullin", ecejaket e pronave dhe shkatërrimin e përsëritur të lokalit të tij, që tashmë ka mbetur vetëm një kioskë, e deri tek shitja e asaj pak toke që ka.
Z. Bushi, a jeni në dijeni të ndërtimit të një fshati turistik vetëm pak larg vendit ku ngrihet lokali juaj ?
Po jam në dijeni, sepse këtu ka kohë që punohet. Siç mund ta keni vënë re ju, zona ku do të ndërtohet fshati është e rrethuar me tela dhe me rrjetë. Nuk është e vështirë të kuptosh që aty do të bëhet një ndërtim. (Madje ai thotë edhe emrin e firmës ndërtuese që duket se e di mirë, është po ai që thonë të gjithë banorët e zonës). Më parë, këtu u ndërtua rruga, dhe duket qartë se është ndërtuar vetëm për këtë punë dhe jo për komunitetin e fshatit këtu, pasi rruga mbaron menjëherë në fund të kompleksit.
Ka zëra se toka këtu ka nisur të shitet më shtrenjtë se vitin e kaluar. Mendoni se ka lidhje rritja e çmimit me kompleksin dhe mbërritjen e investitorëve ?
Nuk di ta them, por se ajo që di unë është se deri para pak vitesh këtu toka shitej me jo më tepër se 30 mijë lekë metri katror. Sot ajo ka shkuar nga 80- 100 euro metri katror. Ka një shumëfishim të menjëhershëm të saj.
Trualli ku pritet të ndërtohet kompleksi turistik, ka qenë në pronësi të shtetit nga sa dini ju apo është e pronarëve ?
Kjo tokë ka qenë gjithmonë e privatëve. Nuk e di se si është bërë, por nga sa di unë është e familjeve Mesiti, Caca, Bushi, Preza e familjeve të tjera që kanë qenë këtu autoktonë.
Ju keni pasur prona që i keni kërkuar apo se nuk jua kanë kthyer ?
Familja Bushi, në këtë zonë zotëron një pjesë të konsiderueshme pronash, por që nuk kanë mundur t'i marrin për veç se një siperfaqe të vogël tokë bujqësore në bazë të ligjit 7501. Sipërfaqen e tokës që ne e kemi trashëguar nga të parët tanë nuk kemi mundur ta marrim për shkak se ata vetë nuk i zotërojnë çertifikatat e pronësisë. Na kanë thënë që të mos i kërkojmë se nuk do kemi asnjë përfitim dhe ne thuajse nuk kemi pasur mundësi të merremi me to.
A keni pasur presione për t'u eliminuar me qëllim që të mbetet vetëm fshati turistik ?
Unë këtë vend që shikoni ju e kam ngritur lokal vite të shkuara dhe jam munduar të pajisem me dokumentacionin e duhur. Ma shembën fillimisht dhe arrita ta kem prapë gati për vitin e kaluar në fillim të sezonit ma prishën e po kështu në fund të sezonit, ndërsa unë e kisha ngritur sërish. Dashamir Biçaku
Dy ditë më parë u miratua ngritja e tri fshatrave turistikë për zonën
Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga kryeministri Berisha, miratoi në dy ditë më parë masterplanet për ngritjen e tri fshatrave turistikë në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit. Pikërisht në këtë zonë ndodhet edhe një vilë e ndërtuar nga vajza e kryeministrit, Argita Malltezi. Gjatë prezantimit të projekteve, kryeministri Berisha, në rolin e kreut të KRRTRSH-së theksoi, se ato ishin në përputhje të plotë me vizionin e qeverisë që ai drejton për sa i përket zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Gjithashtu ai tha se këto zona bëhen gjithnjë e më të përshtatshme për të investuar për shkak edhe të përmirësimit të infrastrukturës rrugore. "Gjiri i Lalzit është një nga zonat potenciale për zhvillimin e turizmit në vend",- theksoi Berisha. Sipas një studimi të një studioje italiane për turizmin, Gjiri i Lalëzit është përfshirë në zonat kryesore në të cilat mund të ketë një zhvillim të madh të turizmit në vend. Këtë vit përfundoi gjithashtu edhe investimi prej 10 milionë dollarësh për asfaltimin e aksit rrugor Maminas-Gjiri i Lalëzit, i cili ka përmirësuar në mënyrë të ndjeshme infrastrukturën.