E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori William Walker vlerëson lart kontributin e qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Berisha në pavarësimin e Kosovës dhe reformat e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare

Kryeministri priti sot ish Kryetarin e Misionit të Verifikimit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin  William Walker.

 

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se ishte një nder për të, që i jepej mundësia të priste sot një mik të shqiptarëve dhe një hero të vërtetë, puna e të cilit përfaqëson shprehjen më të lartë/më kuptimplotë të ndërgjegjes njerëzore dhe një kontribut të çmuar në identifikimin e krimeve të Millosheviçit, për të cilën shqiptarët do të jenë përherë mirënjohës. Historia e shqiptarëve është ajo e sakrificës njerëzore për liri. Me vuajtjet dhe qëndresën e tyre, shqiptarët e Kosovës arritën të pushtojnë mendjet dhe zemrat e publikut dhe politikanëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të lira, për çështjen e tyre të drejtë.

Nga ana e tij, Ambasadori Walker e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen dhe  vlerësoi lart kontributin e Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe pavarësimin e saj.

Gjithashtu Ambasadori Walker vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare, në veçanti në luftën kundër krimit e korrupsionit si dhe shprehu vlerësimin e tij për përpjekjet e jashtëzakonshme që qeveria shqiptare po bën për ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme në vend, veçanërisht ato të karakterit rajonal, si rruga Durrës-Kukës, etj.

Të dyja personalitetet diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë të njëjtin mendim, se përqasja jorealiste e Beogradit nuk i shërben stabilitetit në Kosovë dhe rajon.


24/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›