Ambasadori gjerman: Përmbushni kushtet për vizat
TIRANË- Sinjal të qartë e ka quajtur sot ambasadori gjerman Bernd Borchardt lajmin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, duke deklaruar se Shqipëria duhet të përpiqet për përmbushjen e standardeve. Ai ka thënë se drejtuesit e vendit duhet ta kenë mirë parasysh se për të përfituar liberalizimin e vizave, duhen përmbushur një sere standardesh.
"Sinjali është i qartë dhe nuk duhen dhënë premtime boshe. Duhet të përmbushen standardet"- tha ai, duke premtuar mbështetje në këtë proces, ndërsa ka kujtuar se ato janë përmbushur nga fqinjët që tashmë do të lëvizin pa viza.
"Maqedonia dhe Mali i Zi i kanë plotësuar kërkesat e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave", theksoi ai, gjatë një takimi organizuar nga lëvizja MJAFT.
Sipas ambasadorit gjerman, liberalizimi i vizave pas kësaj mbetet një çështje e brendshme e vendit tonë dhe klasa politike duhet të ndërgjegjësohet për përmbushjen e detyrimeve.