E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shpall rezultatin për zgjedhjet e 28 qershorit

17/07/2009  Përfundon faza ankimore. Certifikimi pas vendimeve të Kolegjit Zgjedhor

“Aleanca e Ndryshimit” 70 mandate, “Aleanca Socialiste për Integrim” 4 mandate dhe “Bashkimi për Ndryshim” 66 mandate - ky është rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 28 qershorit i miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Certifikimi i rezultatit mbetet në pritje të së drejtës së palëve për të paraqitur pretendimet e tyre në Kolegjin Zgjedhor. Bilanci i votave të fituara nga secili koalicion u përpilua pasi KQZ-ja i dha fund shqyrtimit të të gjitha kërkesave ankimore që u paraqitën nga subjektet e ndryshme politike. “Shqyrtimit të tyre i parapriu përmbyllja e tabelave të rezultateve për të gjitha ZAZ-të e 12 qarqeve. Në këtë kontekst, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hartuar tabelat përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve në të gjitha qarqet. Ashtu sikundër e parashikon edhe Kodi Zgjedhor, Komisioni duhet të shqyrtojë brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesave ankimore pretendimet e palëve. Në fakt, u morën në shqyrtim 15 kërkesa ankimore, të cilat u shqyrtuan në një kohë rekord - brenda 7 ditëve, ose thënë ndryshe, mesatarisht 2 kërkesa ankimore në ditë”, - tha gjatë një konference për shtyp zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli. Ai përmendi si një element shumë pozitiv, që ndikoi në mbylljen e procesit në kohë të kënaqshme, përmirësimet e Kodit Zgjedhor. Ai njoftoi se përmbyllja e kësaj faze në KQZ u krijon mundësinë të gjitha palëve që brenda 5 ditëve të paraqesin pretendimet e tyre pranë Kolegjit Zgjedhor, i cili pas paraqitjes së kërkesave ankimore ka në dispozicion 10 ditë për t’i shqyrtuar ato. Po sipas Ollit, kjo krijon mundësinë që në fund të muajit korrik të bëhet i mundur certifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së. Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve ai paraqiti statistika konkrete për procesin në fjalë. “Komisioni jo vetëm ka nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve në të 12 qarqet, por përllogariti dhe bëri shpërndarjen e mandateve si brenda koalicioneve, ashtu dhe numrin e mandateve të përftuara nga secili koalicion në 6 qarqe. Kështu, KQZ-ja ka bërë shpërndarjen e mandateve në qarqet Kukës, Korçë, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë”, - vijoi zëdhënësi i KQZ-së. Deri tani janë mandatuar numerikisht dhe nominalisht 53 deputetë ose rreth 40 % e përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë që në rang vendi në përfundim të procesit ankimor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultati në total, për secilin koalicion është: “Aleanca e Ndryshimit” - 46,92 % të votave, “Bashkimi për Ndryshim” - 45,45 % dhe “Aleanca Socialiste për Integrim” - 5,52 %. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet në pritje të shqyrtimit të kërkesave ankimore nga ana e Kolegjit Zgjedhor, pasi nga ky fakt kushtëzohet dhe certifikimi e shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit”, - përfundoi ai.

Certifikimi i zgjedhjeve

Në fund të këtij muaji, pas dy javësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikon të bëjë certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Llogaritjet janë bazuar tek afatet e ankimimit në Kolegjin Zgjedhor.

Ankimi

Qarku i Fierit, Beratit, Tiranës dhe Shkodrës janë qarqet që kanë shkaktuar debatin më të ashpër në KQZ për sa i takon ecurisë së procesit zgjedhor. Këto janë qarqet për të cilat palët kanë paralajmëruar ankimim të vendimit të KQZ-së në Kolegj.

Kodi Zgjedhor

Sipas neneve 152 dhe 156, palët brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit nga KQZ-ja kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre pranë Kolegjit Zgjedhor, i cili pas paraqitjes së kërkesave ankimore ka në dispozicion 10 ditë për t’i shqyrtuar ato.

Në 3 QV s’u zhvilluan votimet

KQZ tenton t’i rikthehet Fierit për pavlefshmëri

KQZ do të presë njëherë vendimin e Kolegjit Zgjedhor për tabelën përfundimtare të Qarkut të Fierit dhe pastaj do të gjykojë mbi 3 qendrat e votimit në këtë qark, të cilat nuk u hapën fare më 28 qershor. Shpallja e pavlefshme e këtyre 3 qendrave nga KQZ-ja, si një hap juridik që institucioni duhet të ndërmarrë, ka qenë edhe pjesë e debatit të djeshëm mes palëve. Dy anëtarët Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj kanë kërkuar nga KQZ-ja të vijojë hetimin për Qarkun e Fierit, duke rinumëruar dhe rivlerësuar të gjitha kutitë e këtij qarku. “Gjatë numërimit kemi vërë re shumë parregullsi. Me qëllimin final që të bëhet një hetim sa më i plotë administrativ, unë së bashku me kolegun tim Osmanaj kërkojmë që në bazë të nenit 138/3 të bëhet rivlerësimi dhe rinumërimi i të gjitha votave në Qarkun e Fierit. Në këtë mënyrë ne mendojmë se mund të arrihet në konkluzionin nëse vërtet këto pavlefshmëri kanë ndikuar apo jo në rezultatin final”, - kërkoi ajo. Kërkesa u mbështet nga përfaqësuesit e opozitës, por ata e vlerësuan kohën të papërshtatshme. “Faza kur bëhet kërkimi është gjatë shqyrtimit të një kërkese ankimore, gjatë një hetimi administrativ, kështu e cakton Kodi. Nëse një nga partitë do të bëjë kërkesë për pavlefshmërinë, kjo do legjitimonte dhe kërkesën e kolegëve”, - tha nënkryetarja Dëshira Subashi. Përmes votimit kërkesa e dy anëtarëve u kundërshtua nga anëtarët Ristani, Zguri dhe Lazaj. Dy përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në votim.

PS ankimon Fierin

Partia Socialiste ka depozituar dje kërkesëpadinë për rezultatin e Qarkut të Fierit. Në kërkesën e saj kjo force politike konteston vendimin e KQZ-së për vlerësimin e votave në qendrën e votimit nr. 30-52 të komunës Ruzhdie si dhe vendimin e KQZ-së për tabelën përmbledhëse të rezultatit për këtë qark. Gjatë vlerësimit të votave në këtë kuti anëtarët në mazhorancë në këtë komision i vlerësuan të vlefshme, dhe pse ato kishin vetëm një vulë në pjesën e pasme të saj. Në këtë kuti u gjenden 9 vota për PS-në dhe 362 për PD-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›