Ankimimet, Rama: Kolegji Zgjedhor mos të sillet si KQZ-ja
TIRANË- Një ditë pasi KQZ-ja i ka dhënë fund procesit të animimeve të subjekteve politike për zgjedhjet, lideri socialist Edi Rama është shprehur i vendosur për t'i shkuar deri në fund kontestimeve në Kolegjin Zgjedhor, duke shpresuar që ky të mos sillet njësoj si KQZ-ja me ligjin elektoral.
"Urojmë që Kolegji Zgjedhor të mos sillet si KQZ-ja me ligjin e me të drejtën tonë për të kërkuar zbatimin e tij, ashtu sikundër i siguroj të gjithë votuesit e mbështetësit tanë se ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër në këtë përpjekje që s'ka të bëjë thjesht me fatin e një beteje elektorale, po me fatin e demokracisë në Shqipëri dhe me domosdoshmërinë për të mos lejuar që zgjedhjet në këtë vend të bëhen një skemë e mbyllur ku fiton gjithnjë pushteti pavarësisht si voton qytetari"- tha ai gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, po vazhdon pengmarrja e zgjedhjeve dhe farsa e kryeministrit në detyrë që bën sikur ecën pa paterica, ndërkohë që rrit taksa e inauguron rrugë të pambuluara me financime duke thelluar gropën e buxhetit të shtetit. E gjithë kjo, sipas Ramës, ndodh ndërkohë që kriza ekonomike po troket fort në derë dhe gjendja e demokracisë në Shqipëri është përditë e më dramatike.
Ai ka garantuar se socialistët janë të angazhuar për të konsumuar deri në fund hallkat ligjore të një procesi tërësisht të degjeneruar është i plotë dhe pavarësisht abuzimit të skajshëm të KQZ-së me ligjin zgjedhor e me të drejtën e padiskutueshme për hapjen e kutive në Berat, Tiranë e Shkodër. "Ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi asnjë milimetër nga detyrimi ynë për ta zbardhur krimin elektoral të 28 qershorit"- tha prerë ai.