E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori holandez: Korrupsioni problem, ndikon për integrimin

TIRANË- Ndërkombëtarët i rikthehen edhe njëherë çështjes së korrupsionit, që vazhdon të mbetet problem në vendin tonë. Këtë radhë deklarata është bërë nga ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Hank Van Den Belt.
Gjatë një prononcimi, ai ka theksuar se "korrupsioni vazhdon të mbetet problem në Shqipëri duke prekur dhe instanca të larta shtetërore dhe ndikon në integrimin drejt Bashkimit Evropian".
Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të vazhdojë të marrë masa konkrete për të luftuar në vijimësi korrupsionin si dukuri.
Pak ditë më parë, apel për luftë ndaj korrupsionit bëri ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch. I pranishëm në konferencën "Bashkë kundër korrupsionit", në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, Robert Bosch theksoi se ky fenomen mbetet shqetësues dhe i pranishëm në shumë sektorë në Shqipëri, në të cilët mungesa e transparencës është e dukshme. Ai vuri theksin te pavarësia e gjyqësorit, pasi vetëm me gjykata të pavarura mund të luftohet korrupsioni.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›