Meidani: Topi të ndërhyjë për krizën
Ish-Presidenti i Republikës tha se kreu i shtetit ka për detyrë të shmangë çdo krizë potenciale
TIRANË - Ish-Presidenti socialist, Rexhep Meidani, vlerëson si tepër të rëndësishëm rolin që mund të luajë kreu i shtetit, Bamir Topi, në zgjidhjen e krizës aktuale, që ka përfshirë klasën politike shqiptare.
I ndodhur në një konferencë shkencore në qytetin e Korçës, ish-numri 1 i shtetit, në një komunikim me mediat, nuk ka lënë pa komentuar edhe zhvillimet politike në vend, duke e konsideruar krizën politike tepër serioze dhe që kërcënon gjithë shoqërinë shqiptare.
Për këtë arsye, ai gjykon se institucioni i Presidentit të Republikës në cilësinë e garantit të Kushtetutës dhe simbolit të unitetit të vendit, duhet të ndërhyjë në mënyrë që kjo situatë të mos përshkallëzohet më tej dhe që të mos kthehet në një faturë të papërballueshme për popullin shqiptar.
"Natyrisht që nuk më pëlqen që të marr një pozicion që në një mënyrë apo në një tjetër lidhet me detyrën e presidentit sot, por institucioni i Presidentit si një institucion i unitetit të popullit e ka për të detyrë të shmang çdo lloj krize potenciale dhe për të mos lejuar atë krizë që të kthehet në një krizë reale", - tha ish kryetari i shtetit shqiptar në vitet 1997-2002.
Duke analizuar situatën, ai thekson se në rast se nuk do ti jepet një zgjidhje e pranuar nga të gjitha palët, atëherë kriza mund të degjenerojë në pasoja të paparashikueshme dhe që mund të prekin të gjitha shtesat e popullsisë. "Në gjykimin tim ka disa mënyra mirëkuptimi mbi faktet dhe vlerat: mund të jenë mirëkuptimi i drejtë dhe i mirë mbi vlerat dhe faktet.
Në këtë rast zgjidhjet janë të thjeshta pra teknike dhe kjo mund të bëhet në mënyrë fare normale, mund të jetë rasti kur zgjidhjet mund të jenë politike, mund të jenë juridike dhe në qoftë se të tre këto variante, teknike, politike dhe juridike nuk japin rezultat atëherë mund të ndodhë që kriza mund të zbërthehet deri në gjirin e popullsisë dhe këtë jo vetëm që nuk e meritojnë shqiptarët, por vetëm e dëmton shoqërinë shqiptare dhe proceset integruese të Shqipërisë", - tha Meidani.
Ndërkohë lidhur me deklaratat dhe kundërdeklaratat e përdorura nga palët në këtë moment, ish-presidenti Meidani e cilëson të ashpër dhe aspak evropiane gjuhën e përdorur në skenën politike, ndërsa bën thirrje për gjetjen e mirëkuptimit.
Megjithëse mbështet kërkesat e opozitës për hapjen e kutive si një e drejtë që buron nga ligji, ai i sugjeron kësaj të fundit që të kthehet në parlament si rruga më e mirë për të arritur qëllimin që i ka vënë vetes, pra hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Opozita për të arritur te kjo transparencë duhet të futet në parlament, pra të lërë mënjanë këtë prirjen e bojkotiste. Pra kërkohet një ndërthurje e dy aspekteve, ndryshe ne do vazhdojmë të kemi një situatë krize, që është e bezdisshme për politikën, është e bezdisshme për qeverisjen, është e bezdisshme dhe ndoshta frenuese për proceset integruese, por mbi të gjitha zhgënjen tërësisht qytetarin shqiptar", - shtoi më tej ish-kreu i shtetit, Rexhep Meidani.