Ambasadori i BE: Zgjedhjet e 8 majit, jetike për Shqipërinë
Dy javë pas zgjedhjeve lokale të 8 majit, në Shqipëri do të mbërrijë Presidenti i Komisionit Europian, Manuel Barrozo. Lajmin e dha dje ambasadori i delegacionit të Komisionit në Tiranë Ettore Sequi. Ky i fundit u prit në një takim pune nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Gjatë këtij takimi, ku u diskutua situata në vend në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit, Presidenti Topi theksoi nevojën e zhvillimit të një fushate sa më të qetë e të civilizuar, si dhe mbajtjen me sukses të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe sipas standardeve demokratike. Nga ana e tij, kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadori Sequi pasi vuri në pah rëndësinë jetike që zgjedhjet vendore të 8 majit kanë për ecurinë integruese europiane të vendit tonë, e informoi kreun e shtetit shqiptar për vizitën e ardhshme në Tiranë, më 21 maj 2011 të Presidentit të Komisionit Europian, Manuel Barrozo, i shoqëruar nga një delegacion zyrtar i nivelit të lartë. Në fillim të prillit, Barrozo dhe komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë në BE, Stefan Fule, ndërmorën një tur në Ballkan duke shmangur Tiranën, Prishtinën dhe Beogradin. Turi ballkanik nisi në Kroaci, për të vijuar në Bosnje-Hercegovinë dhe në Mal të Zi, e për të përfunduar në Maqedoni. Duket se fundi i majit do të sjellë turin e dytë të Barrozos, në ato kryeqytete që shmangu herën e parë. Sakaq, vizita e Barrozos dy javë pas përfundimit të procesit zgjedhor, ka një domethënie të rëndësishme për shkak se deklaratat e tij do të ndikohen nga situata paszgjedhore në Shqipëri. Barrozo do të zhvillojë takime me krerët e lartë të shtetit dhe politikës, ndërsa do të lëshojë mesazhe të forta për nevojën e thellimit të reformave që përafrojnë vendin me familjen europiane. Nisur nga zhvillimet paszgjedhore, mesazhet e Barrozos mund të jenë më të forta për klasën politike në Tiranë. Problematika parazgjedhore, sakaq e ka detyruar misionin ndërkombëtar të OSBE/ODIHR-it, të drejtuar nga Jonathan Stonestreet, të shtyjë publikimin e raportit paraprak për 8 majin. Siç është lajmëruar tanimë, një komunikim i tillë me publikun do të bëhet dy ditë më pas, në datën 10 maj. Pas prononcimit të misionit zyrtar të vëzhgimit, pritet që në raport me zgjedhjet të japin vlerësimin e tyre edhe përfaqësuesit e Brukselit dhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zgjedhjet e 8 majit është lajmëruar se do të vëzhgohen edhe nga një delegacion i vogël me deputetë të Parlamentit Europian. Përfaqësia e Komisionit Europian në Tiranë do të organizojë një ditë përpara zgjedhjeve, një koncert për të festuar Bashkimin Europian. Një ditë pas zgjedhjeve do të organizohet një pritje në zyrën e delegacionit, ku janë të ftuar të gjithë personalitetet e larta. Pritja për 9 majin, që është cilësuar “Dita e Europës”, do t’u krijojë rastin Kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama, të ndodhen sëbashku në një ambient vetëm 24 orë pas votimeve. Mbetet për t’u parë, nëse do të ndikojë rezultati i zgjedhjeve dhe nisja e procesit të numërimit te sjellja e liderëve dhe përgjigjja pozitive apo negative që ata do t’i japin ftesës së zyrës së delegacionit europian në Tiranë.