E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Shëngjin: Do të trefishojmë investimet

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte dje në Shëngjin, për të shprehur mbështetjen ndaj Zef Gjokës, kandidat për kryetar komune, të koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Topalli shprehu bindjen se në Shëngjin, i cili tashmë ka marrë një profil të veçantë zhvillimi, në katër vitet e ardhshme, qeveria do të trefishojë investimet, duke mbështetur projekte që synojnë të transformojnë portin e Shëngjinit, në një dalje kryesore në det, për rajonin. “Ne do të bëjmë të mundur që, ky vend të përparohet më tej; që ky vend, që perëndia e ka bërë kaq të bukur, kaq të lakmueshëm, ndërsa ndërtimi i Rrugës së Kombit e ka kthyer nga pikat më të frekuentuara, në mënyrë të veçantë nga turistët, pushuesit vendas e të huaj numri i të cilëve është në rritje nga viti në vit”, theksoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit, duke ndalur në situatën parazgjedhore, vlerësoi se, shqiptarët janë njerëz inteligjentë por edhe racionalë, që i besojnë dhe i kërkojnë vlerat. “Ftesa e Kryeministrit, se shtëpia jonë është e hapur për çdo shqiptar, është ftesa më e sinqertë, është ftesa më e vërtetë”, u shpreh Topalli. Më tej, ajo nënvizoi faktin se në këto zgjedhje opozita vjen si koalicion i partisë së punës, në drejtimin e Edvin Ramës, i cili më 8 maj “do të shkojë në rrugën e vetmisë së tij, ashtu siç ja ka premtuar vetes së vet”. Kryeparlamentarja theksoi se qeveria dhe mazhoranca do t’i qëndrojnë deri në fund axhendës së integrimit, zhvillimit, axhendës së progresit. “Sali Berisha i ka qëndruar axhendës pikë për pikë. Ashtu siç ja kishte premtuar të gjithëve dy vite më parë, ai ka bërë të mundur që, vendi ynë të jetë një vend me progres, zhvillim dhe transformim, që rrallë ndonjë vend tjetër në Europë, apo në botë, ta ketë arritur për një kohë kaq të shkurtër”, u shpreh Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›