Gruaja e taksistit : Dënim maksimal për vrasësit
Edhe seanca e djeshme në ngarkim të gjashtë të pandehurve të akuzuar për vrasjen e taksistit Fredi Talelli është shtyrë. Dy prej të pandehurve, Elkero Revano dhe Domeniko Kumria, si dhe avokati mbrojtës i tyre, Maksim Gjokutaj, kanë munguar edhe këtë seancë. Kjo ka detyruar gjykatën të japë vendimin për shtyrjen e seancës në një tjetër datë, çka ka sjellë edhe revoltimin e bashkëshortes së taksistit të vrarë, e cila e lodhur nga seancat e pafundme ka paralajmëruar vetëgjyqësi. “I lutem shumë qeverisë, prokurorisë, dënimin me vdekje për vrasësit se e meritojnë. Dua t’i mbys me këto duar, dua t’i vras”, - u shpreh e revoltuar bashkëshortja, e cila u nxorr më pas e përlotur nga salla. E revoltuar për shtyrjen e seancës, e veja e taksistit u shpreh “Se nuk ka gjykata, ka shtet apo s’ka, ata duhen dënuar me varje”. Taksisti Fredi Talelli u vra nëntorin e shkuar nga 4 të rinjtë dhe trupi i tij u gjet pas 8 ditësh në një kanal në fshatin Gorricë të Korçës.