E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamza, gjykata pranon kërkesën e PS-së për tre QV

Kolegji Zgjedhor ka pranuar në mënyrë të pjesshme edhe kërkesën tjetër të Partisë Socialiste, për sa i përket qendrave të votimit në ambiente private në Bashkinë e Kamzës. Nga 18 qendra votimi që socialistët kërkonin t’u ndryshohej vendndodhja, nga ambiente private në ambiente publike, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në Tiranë ka pranuar kërkesën për vetëm tre prej tyre.

Më konkretisht bëhet fjalë për qendrat e votimit numër 1574, 1576 dhe 1576/1, të cilat kolegji ka gjykuar se janë vendosur në ambiente private, nga ana e kryetarit të Bashkisë së Kamzës, në kundërshtim me kriteret që përcakton ligji zgjedhor. Ajo që ka vendosur për këto tre raste kanë qenë pikërisht paraqitja fotove nga pala ankimuese, nëpërmjet të cilave ilustrohej se këto qendra ishin vendosur në ambiente ku evidentoheshin simbole të Partisë Demokratike, si flamuj partiak, postera të kryetarit të bashkisë Xhelal Mziu, i cili është njëkohësisht dhe kandidat për një mandat të dytë për këtë njësi. Trupa gjykuese, pavarësisht kundërshtimin të përfaqësuesve demokratë, ka pranuar të marrë në cilësinë e provës fotografitë e paraqitura nga avokati i PS-së Eridian Salianji, i cili nëpërmjet tyre ka tentuar të bindë kolegjin se këto ambiente janë në pronësi të personave që njihen si mbështetës apo militantë të PD-së dhe kandidatit demokrat për këtë bashki, Xhelal Mziu. Por sipas përfaqësueses së KQZ, drejtoreshës juridike, Dëshira Pasko, pretendimet e ngritura nga socialistët nuk qëndrojnë, për vet faktin se lidhur me këto kërkesa, komisioni ka zhvilluar një hetim administrativ në terren, ku ka marrë informacionin e duhur, që hedhin poshtë argumentet e paraqitura nga pala ankimuese. Sipas saj, kërkesa e PS-së për t’i vendosur këto QV në ambiente publike, nuk mund të realizohet së pari, sepse këto ambiente janë jashtë zonës së qendrës së votimit dhe së dyti, sepse kanë kaluar të gjitha afatet ligjore. Pavarësisht kësaj, Kolegji Zgjedhor ka pranuar të rrëzojë pjesërisht vendimin e KQZ-së për dhënien e autorizimit kreut të Bashkisë së Kamzës, për vendosjen QV-ve në ambiente private.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›