Rama: Parku rekreativ tek Ura e Bunës po transformon hyrjen e Shkodrës dhe i jep qytetit një dimension të ri urban

Në hyrje të qytetit të Shkodrës po vijojnë punimet për ndërtimin e parkut rekreativ pranë Urës së Bunës, një projekt i rëndësishëm urbanistik që pritet të transformojë këtë zonë.
Parku, me një sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh, do të shndërrohet në një nga hapësirat më të mëdha të gjelbëruara urbane të qytetit.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga kantieri i punimeve në rrjetet sociale, duke theksuar se “projekti me 18 hektarë gjelbërim po transformon hyrjen e Shkodrës, duke e kthyer në një hapësirë funksionale për qytetarët dhe turistët, dhe që do t’i japë qytetit një dimension të ri urban”.
Sipas autoriteteve vendore, parku do të dominohet nga gjelbërimi dhe do të shërbejë si një hapësirë e hapur për familjet, të rinjtë dhe qytetarët që kërkojnë natyrë, qetësi dhe përmirësim të cilësisë së jetesës.
Projekti synon ta shndërrojë këtë territor në atë që tashmë cilësohet si “mushkëria e re” e Shkodrës.
Kryeministri Rama kanë theksuar se hyrja e qytetit nuk po ndryshon vetëm pamje, por po fiton një dimension të ri urban.
“Më shumë hapësirë publike, më shumë gjelbërim dhe më shumë jetë për qytetin”, u shpreh ai, duke nënvizuar rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin urban.
/rtsh.al/