Ambasadori i SHBA ne betimin e grupit te ri te 43 vullnetareve te paqes

Në teatrin "Skampa" të qytetit të Elbasanit u zhvillua ceremonia e betimit të grupit të ri të 43 Vullnetarëve të Korpusit Amerikan të Paqes në vendin tonë. Ka qenë i pranishëm me këtë rast ambasadori i SHBA në Shqipëri Aleksandër Arvizu i cili ka drejtuar këtë betim. Në fjalën e marrë me këtë rast kryetari i bashkisë Qazim Sejdini shprehu falenderimet e veçanta për ambasadorin, presidentin dhe vullnetarët e Paqes dhe ka përfituar nga rasti që të përcjellë edhe njëherë ngushëllimet për viktimat e aksidentit. Një nga vullnetarët tha ai do të punojë në Bashkinë e Elbasanit.
Ambasadori i SHBA në vendin tonë Aleksandër Arvizu u shpreh se gjithnjë është një nder i veçantë për një ambasador të Shteteve të Bashkuara të marrë pjesë në ceremoni të tilla. Arvizu ka kujtuar djegien e teatrit "Skampa" dhe shprehu kënaqësinë e rindërtimit të tij në një kohë rekord. Duke u ndalur në rastin e aksidentit tragjik të studentëve ai u shpreh se miku njihet që është mik në të mirë e vështirësi.
“Nuk ka mik më të madh e më të qëndrueshëm për Shqipërinë se sa Amerika”, ka nënvizuar Arvizu. Ai u shpreh se ndan dhimbjen e thellë me familjet dhe se i është lutur Zotit për të gjithë viktimat e këtij aksidenti. Ky është një moment i veçantë për vullnetarët,- tha Arvizu,- dhe mjaft prej tyre më pas kanë bërë karrierë në departamentin e shtetit dhe madje edhe si ambasadorë. Më pas ambasadori ka kryer betimin e vullnetarëve.
Ky është viti i 50 i aktivitetit të Korpusit të Paqes i ngritur që nga viti 1961 nga presidenti John Kenedy. Ky është grupi i 15 i vullnetarëve që operojnë në vendin tonë. Programet e këtij grupi filluan në vendin tonë në vitin 1992 dhe që nga ajo kohë kanë dhënë kontribut rreth 400 vullnetarë duke ndihmuar komunitetin në fusha të ndryshme. Në mbarë botën aktualisht veprojnë 10.000 vullnetarë dhe që nga viti 1961 mbi 200.000 amerikanë kanë shërbyer në 139 vende të botës.
Në këtë aktivitet ka qenë i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi i cili i ka dhënë urdhrin “Nënë Tereza” vullnetarëve të korpusit të paqes në vendin tonë. Urdhëri i është dorëzuar drejtorit të këtij korpusi, Hill Denham.