E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i ri i BE-së, gjermani Dirk Schuebel nis mandatin në Kosovë

PRISHTINË, 2 shtator /ATSH/ Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, gjermani Dirk Schuebel, ka bërë thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve, duke thënë se kjo do t’i mundësonte BE-së të angazhohej plotësisht me Kosovën dhe t’ia ofronte ndihmën që ka në dispozicion.

Schuebel bëri këtë apel të mërkurën, një ditë pasi nisi mandatin si shef i ri I Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian.

“Përpara kemi një dritare të rëndësishme mundësish. Për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale të afta për t’i zbatuar reformat e nevojshme dhe për ta shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes të BE-së dhe financimin e ardhshëm mjaft të konsiderueshëm të IPA”, ka thënë Schuebel, transmeton KosovaPress.

Ai ka theksuar se shfrytëzimi i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe fokus në reforma e integrim evropian.

Ambasadori i ri është zotuar të mbështesë Kosovën në rrugën drejt BE-së, duke kërkuar që integrimi evropian të trajtohet si prioritet përtej ndarjeve politike.

“Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna drejt saj kërkon angazhimin e tërë shoqërisë dhe përkushtim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE prioritet përtej ndarjeve politike”, ka deklaruar ai.

Schuebel ka paralajmëruar mbështetje edhe për angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe për përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për këtë çështje, ai do të bashkëpunojë me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.

Duke folur për raportet me Kosovën, Schuebel ka vlerësuar përafrimin e saj vullnetar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Sipas njoftimit, Bashkimi Evropian i ka ofruar Kosovës më shumë se 3.7 miliardë euro ndihmë që nga viti 1999, duke përfshirë mbështetjen për rindërtim, ndërtimin e institucioneve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë.

“Së bashku, mund t’i shndërrojmë aspiratat evropiane të Kosovës në përparim të prekshëm për të gjithë qytetarët e saj”, ka shtuar Schuebel.

Diplomati gjerman ka përvojë të gjatë në institucionet e BE-së. Ai ka qenë ambasador dhe shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Bjellorusi nga viti 2019 deri më 2022, ndërsa të njëjtën detyrë e ka ushtruar në Moldavi nga viti 2009 deri më 2013.

Para ardhjes në Kosovë, Schuebel ka shërbyer si shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.

Në detyrën e re ai do të mbështetet nga zëvendësshefi i sapoemëruar i BE-së në Kosovë, Alexis Hupin, dhe ekipi i Bashkimit Evropian.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›