Ambasadori në Athinë, Dervishi zëvendëson Minarollin
Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi dje një seancë dëgjimore me kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme për ambasadorë, zotin Dashnor Dervishi dhe zotin Flamur Gashi, për Greqinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Kandidaturat u prezantuan nga sekretari i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu, i cili vlerësoi të dy emrat si dinjitozë për përfaqësimin diplomatik të vendit tonë. Dervishi do të zëvendësojë në këtë detyrë ambasadori aktual, Vili Minarolli, i cili do të lëvizet drejt Vjenës. Dashnor Dervishi, kandidat për postin e ambasadorit të Shqipërisë në Greqi, prezantoi përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm objektivat dhe prioritetet e tij në ushtrimin e kësaj detyre. Ai tha se objektivat e tij do të kenë parasysh tre faktorë: Greqinë si anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, Greqinë si një partner të rëndësishëm ekonomik dhe financiar të Shqipërisë dhe shtetasit shqiptarët që rrojnë në vendin fqinj. Një vëmendje të veçantë, Dervishi i kushtoi edhe emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke shprehur garancinë se gjatë ushtrimit të detyrës së tij do të punojë për një trajtim sa më njerëzor në kuadër të respektimit të të drejtave të tyre. Komisioni i Politikës së Jashtme dëgjoi edhe Flamur Gashin, një ish-gazetar që drejton prej disa vitesh Institutin e Diasporës në Ministrinë e Jashtme. Gashi është emëruar ambasador në Sarajevë, ku përfaqësia shqiptare hapet për herë të parë. Detyra jonë e rëndësishme imediate mbetet ministeriali që do të mbahet në qershor në Sarajevë, ku pritet të shpallet liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, - deklaroi Gashi. Pas kësaj seance pritet që kandidatët për ambasadorë të dekretohen nga Presidenti i Republikës, përpara se të marrin pëlqimin nga vendet ku janë emëruar.